Zjarri në landfillin e Bushatit ende aktiv, zjarrfikësve të Shkodrës u bashkohen forca nga Lezha, Tirana dhe Kamza

19/04/2026 21:08

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshirë këtë të diel venddepozitimin e mbetjeve në landfillin e Bushatit, duke shkaktuar një situatë problematike në zonë.

Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër ka reaguar këtë mbrëmje duke deklaruar se ende zjarri vijon të jetë aktiv, i favorizuar nga kushtet e erës, ndërsa situata po menaxhohet dhe mbahet nën kontroll operacional nga strukturat në terren.

Në operacion janë angazhuar rreth 20 efektivë të MZSH-së së bashkisë përkatëse me 3 automjete zjarrfikëse, në bashkëpunim me punonjësit e landfillit dhe Policinë Bashkiake. Në mbështetje janë angazhuar gjithashtu njësitë nga bashkitë Shkodër, Lezhë, Tiranë dhe Kamëz, me mjete dhe efektivë shtesë, duke garantuar një reagim të koordinuar ndërinstitucional.

Po punohet paralelisht me mjete të rënda (ekskavatorë dhe kamionë) për izolimin e vatrave të zjarrit dhe kufizimin e përhapjes së tij, ndërsa furnizimi me ujë vijon në mënyrë të pandërprerë përmes autobotit të angazhuar në terren.

Zjarri ka përfshirë mbetje urbane dhe, në këtë moment, nuk paraqet rrezik për banesat përreth.

 

Top Channel