Është zbardhur zjarrvënia e qëllimshme ndaj autotmjetit të një efektivi policie disa ditë më parë në Vlorë.
Autori është identifikuar si A. M., 39 vjeç, banues në Vlorë, person me precedent kriminal. Nga hetimet rezulton se ky shtetas më datë 14.04.2026, ka djegur automjetin e markës “Ford C-Max”, në pronësi të punonjësit të Policisë D. P.
Si pasojë e përhapjes së flakëve, është përfshirë dhe është dëmtuar edhe një automjet tjetër i markës “Mercedes-Benz”, në pronësi të shtetasit R. K. Në vijim të veprimeve hetimore, është bërë identifikimi i porositësit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, shtetasit L. H., 35 vjeç, banues në Vlorë, i cili aktualisht ndodhet me masë sigurie “Arrest në burg”. Nga hetimet paraprake dyshohet se kjo ngjarje ka lidhje me një operacion policor të datës 02.04.2026, gjatë të cilit shërbimet e forcës së posaçme “Shqiponja”, ndër të cilët ishte edhe punonjësi i Policisë D. P., kanë kapur në flagrancë shtetasin L. H., pasi kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe për implikimin e personave të tjerë të mundshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel