Tre orë protestë, lëndohen tre deputetë të PD. Boçi, Balliu dhe aktivisti Aulon Kalaja përfundojnë në spital. Berisha sfidon Ramën: Nëse s’vjen në gjyq…

17/04/2026 22:52

Opozita iu rikthye skenarit të vjetër në protestën e shtatë kombëtare, por me plan të ri nga policia. Menjëherë sapo Sali Berisha mbylli fjalën, nisi sulmi me molotovë e fishekzjarrë para Kryeministrisë. Mesazhi i Berishës ishte i qartë ndaj Ramës.

Reagimi i policisë ishte i menjëhershëm. Efektivët u përplasën me deputetët e opozitës, që qëndronin në vijën e parë të frontit, por edhe mbështetësit e pranishëm në shesh. Sasi e madhe uji, gazi lotsjellës dhe spray me piper u hodh ndaj protestuesve, ku disa prej tyre u lënduan, përfshirë dhe deputetë. Aulon Kalaja, Luçiano Boçi dhe një qytetar u morën me ambulancë, për shkak të problemeve shëndetësore nga gazi e spray.

Gazi i shpërndau nga Kryeministria, por turma nisi marshimin drejt Parlamentit. Përplasja e radhës ishte te Xhamia e Namazgjasë, ku efektivët bllokuan protestuesit të shkonin te Parlamenti, duke përdorur sërish ujë dhe gaz lotsjellës.

Të tjerë deputetë të opozitës, të cilët tentuan të çanin kordonin e policisë, mbetën të lënduar. Klevis Balliu u dërgua me urgjencë në spital. Me lëndime në fytyrë u shfaq edhe deputeti Flamur Noka, i cili sulmoi drejtuesit e policisë. Sali Berisha qëndroi larg betejës. E ndoqi përplasjen nga selia blu. Dënoi sulmet, por paralajmëroi vijim të aksionit, por pa dhënë datë. Në urgjencë, i lënduar nga përplasjet, përfundoi dhe një efektiv policie, ndërsa u shoqëruan në komisariat disa protestues.

22:43 Berisha viziton deputetët dhe protestuesit e lënduar në QSUT: Aulon Kalanë e kanë goditur me shkop

Berisha mbërrin në QSUT, viziton deputetët dhe protestuesit e lënduar.

22:36 Protesta e opozitës, reagon Balla: Përdorimi i flamurit për molotovë, vulë turpi

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka reaguar pas protestës së opozitës në Bulevard.

22:30 Opozita tre orë protestë, reagon ministri Lamallari: Shqipëria nuk do merret peng nga një pakicë që përdor të miturit

Lidhur me protestën e opozitës, ka reaguar ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari.

22:00 “Plagosën drejtuesit e PD, Boçi është me djegie”/ Berisha flet nga selia blu: Krerët e policisë, kriminelë të certifikuar

Berisha është shprehur se : Qëndruam të pamposhtur ndaj një terrori që u soll sot si pushtues barbar. Zëri juaj, qëndresa juaj, u shndërrua në tmerr të vërtetë për narkoregjimin. Sot me urdhër të Edi Ramës, Skënder Balluku, Sokol tradhtari dhe i operacionales, janë kriminelë të certifikuar. Mendoj se do zmbrapsin një popull tjetër.

21:51 Aulon Kalaja u lëndua gjatë tensioneve në protestë, reagon Berisha: Dënoj me forcë këtë akt hakmarrës e primitiv të Edi Ramës

Kryedemoktrati Sali Berisha ka reaguar pas lëndimit të ish kandidatit për deputet të PD-së, Aulon Kalaja gjatë tensioneve në protestën e ditës së sotme.

21:51 U ndje keq gjatë protestës, Noka sulmon drejtuesit e policisë: Opozita do t’i konsiderojë organizatë kriminale

Pasi u ndje dy herë keq gjatë protestës, deputeti demokrat Flamur Noka, në një prononcim për mediat, tha se “policia do të mbajë përgjegjësi”.

21:29 Pas Boçit dhe Kalasë, i prekur nga gazi Klevis Balliu, niset drejt urgjencës

Deputeti demokrat Klevis Balliu është prekur nga hedhja e gazit gjatë protestës së PD-së.

21:22 Video-lajm/ Protesta e thirrur nga Partia Demokratike, familja e Berishës ndjek nga afër demonstratën

Familja e Sali Berishës është prezente në protestën e thirrur nga kreu i të PD-së. Argita Malltezi, vajza e Berishës, dhe Shkëlzen Berisha, djali i tij, janë filmuar në mes të qytetarëve duke ndjekur protestën e sotme.

21:18 Policia nuk lejon protestuesit të shkojnë në Kuvend, nisin përplasjet fizike

Pas hedhjes së molotovëve jashtë Kryeministrisë, protestuesit tentuan të largoheshin drejt godinës së Kuvendit. Policia u kundërpërgjigj me ujë, ndërsa protestuesit nuk kanë mundur të shkojnë pranë Kuvendit.

21:03 Pas Nokës dhe Kalasë, edhe Luçiano Boçi ndihet keq gjatë protestës së opozitës

Pas deputetit Flamur Noka dhe aktivistit Aulon Kalaja, edhe deputeti Luçiano Boçi është ndjerë keq gjatë protestës.

20:59 Po hidhnin molotov drejt kryeministrisë, policia arreston në flagrancë disa persona

Menjëherë pas mbylljes së fjalimit të Sali Berishës para Kryeministrisë filluan trazirat. Pas hedhjes së disa molotovëve drejt Kryeministrisë policia ka ndërhyrë menjëherë dhe ka arrestuar në flagrancë disa persona.

20:59 Tensionet në protestën e PD-së, Aulon Kalaja në gjendje të rënduar shëndetësore nga gazi, dërgohet me ambulancë në spital

Aktivisti dhe ish-kandidati i PD-së për deputet në Qarkun Durrës, Aulon Kalaja, është në gjendje të rënduar shëndetësore nga gazi i hedhur pas shpërthimit të tensioneve në protestën kombëtare të PD-së.

20:56 Menjëherë pas nisjes së tensioneve, truprojat fusin me shpejtësi Berishën në makinë, largohet nga protesta

Menjëherë pas nisjes së trazirave, Sali Berisha është larguar me shpejtësi nga protesta. Truprojat e kanë marrë me shpejtësi dhe e kanë futur në makinë, për ta larguar me nxitim më pas.

20:56 Noka lëndohet nga gazi lotsjellës, rrethohet nga protestuesit

Deputeti i Partisë Demokratike Flamur Noka është lënduar nga hedhja e gazit lotsjellës në protestë.

20:46  Menjëherë pas fjalës së Berishës, protestuesit nisin hedhjen e molotovëve, përgjigjet policia

Menjëherë pas fjalës së Sali Berishës, protestuesit nisën hedhjen e molotovëve. Policia më pas ka reaguar.

20:43 Berisha rikthen propozimin për votimin me detyrim: E kanë disa vende në Europë dhe botë, mund të bënte ndryshimin

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur gjatë protestës së tyre kombëtare, për propozimin e tij për ta kthyer të drejtën e votës në detyrim. Ai tha se pjesëmarrja e plotë në zgjedhje do të sillte ndryshimin, pasi e njëjta gjë solli humbjen e Viktor Orban në Hungari.

20:36 “Në sallë do shihni përballjen e shekullit”/ Berisha sfidon Ramën: Nëse s’vjen në gjyq, hajde në debat televiziv

Nga podiumi i protestës, kreu i PD Sali Berisha sfidoi kryeministrin Edi Rama për përballjen në një debat televiziv Berisha tha se nëse kryeministri nuk paraqitet në sallën e gjyqit ku është thirrur si dëshmitar, të shkojë në debat. Në sallë tha Berisha, “do të shihni përballjen e shekullit”

 20:18 “Jemi shpresa e vetme”/ Berisha flet nga foltorja: Seriali më gjigant i protestave që ka njohur Shqipëria

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, po mban fjalën e tij në protestën e shtatë kombëtare të thirrur nga opozita. Ai thekson se Partia Demokratike është zgjedhja më e mirë në këtë moment për vendin, teksa vlerëson aksionin e protestave të deritanishme.

19:34 Sali Berisha del nga selia e PD, marshon me protestuesit drejt Kryeministrisë

Pas mbledhjes së zhvilluar me strukturat e PD, Berisha sapo ka dalë nga selia blu. Kreu i PD-së pritej nga mbështetësit jashtë selisë, ndërsa bashkë me ta po marshon drejt Kryeministrisë.

17:19 Sot protesta e opozitës para Kryeministrisë/ Zbardhen detajet nga tubimi i PD, rikthehen fjalimet në foltore

Ditën e sotme Partia Demokratike do të zhvillojë protestën e radhës kombëtare, të cilën e kanë njoftuar në orën 19:00 para Kryeministrisë. Gazetarja e Top Channel Elda Menga raporton se këtë herë do të rikthehen fjalimet në protestë, ndërsa pas tyre dhe të nisë ‘aksioni’ opozitar. Sipas raportimi, PD ka kërkuar tri orë leje për protestën e cila po zhvillohen një muaj pas protestës së fundit.

16:58 “Qytetarët ngrihen jo me dhunë, por me dinjitet”, Berisha për protestën e sotme: Shqipëria nuk hesht më

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish për protestën që do të mbahet sot në orën 19:00. Berisha shkruan në Facebook se qytetarët ngrihen me dinjitet, jo me dhunë. “Sot në 19:00, qytetarët ngrihen. Jo me dhunë, por me dinjitet. Kundër korrupsionit, kundër frikës, kundër një regjimi që mbron vjedhjet e tyre me 83 mandatet e grabitura. Shqipëria nuk hesht më”, shkruan Berisha.

Top Channel