Dosja 5D/ Të akuzuar për shkelje barazie në tendera, shtyhet seanca për ish drejtorët e Bashkisë Tiranë

16/04/2026 12:06

Gjykata e Posaçme ka vendosur të shtyje seancën mbi dosjen “5D” ku të pandehur ishin ish drejtorët e bashkisë së Tiranës, Redi Mollën, Taulant Tusha dhe Mariglen Qato.

Duke marrë parasysh se dy nga të pandehurit, Redi Molla dhe Taulant Tusha mungonin, po ashtu edhe mbrojtja e Julian Zanajt, gjykata vendosi të shtyjë seancën për në datën 30 prill, ndërkohë gjykata vendosi gjithashtu të pezullojë afatet e paraburgimit dhe të zgjasë afatin e izolimit shtëpiak për Redi Mollën.

Njoftimi i GJKKO:

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua seanca për dosjen “5D”, me të pandehur, Redi Mollën, Taulant Tusha dhe Mariglen Qato, ish drejtorët e bashkisë së Tiranës që kanë përfunduar në qeli për krijimin e një skeme korruptive duke përdorur fondet e bashkisë.

Ata akuzohen për veprën penale shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera.

Në sallën e gjyqit mungojnë dy të pandehurit, Redi Molla dhe Taulant Tusha, ndërsa është garantuar prezenca e tyre nga avokatët respektivë.

Mbrojtësja e Julian Zanajt nuk ishte e pranishme për shkak se ndodhet në një tjetër gjykim. Në këto kushte, seanca u shty për në datën 30 prill, ora 9:00.

Gjykata vendosi të pezullojë afatet e paraburgimit dhe të zgjasë afatin e izolimit shtëpiak për Redi Mollën.

Top Channel