LIVE/ Vezë e domate drejt efektivëve te Kuvendi, policia përgjigjet me gaz lotsjellës, disa të shoqëruar. Përplasje edhe në seancë, shkak marrëveshja për kredi 302 mln dollarë nga SHBA
Me tensione dhe përplasje është shoqëruar seanca e sotme plenare.
Një propozim i kreut të grupit të PS-së, Taulant Balla për të mbajtur një minutë heshtje në nder të katër viktimave të 2 prillit 1991 në Shkodër, prishi qetësinë në Parlament, teksa opozita akuzoi shumicën për provokim.
Situata u tensionua, kur deputetët e PD-së, bllokuan foltoren e Kuvendit pasi kërkuan që ti përgjigjen Ballës, ndërsa deputetja Elda Hoti i hoqi kartën e votimit deputetes së PS-së, Bora Muzhaqi.
Ndërprerja e seancës për disa minuta nuk i uli tensionet, pasi Flamur Noka iu afrua Ballës dhe e goditi me shishe uji.
Pas rinisjes së seancës, opozita kërkoi përjashtimin e kreut të grupit të PS-së, teksa ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli gjeti rastin për t’i kujtuar Ballës një shprehje që e kishte përdorur vite më parë kur drejtonte këtë institucion.
““Kur një burrë provokon mbi të vdekurit dhe merret me gra, ka vetëm një shprehje… Merre zoti kryetar kape për zhelesh e nxirre jashtë”, tha Topalli.
Top Channel