Como pushton Sardenjën dhe merr një fitore të çmuar ndaj Cagliarit në javën e 28 të Serie A. Në Unipol Domus, skuadra e drejtuar nga Cesc Fabregas e mbylli këtë ndeshje me rezultatin 2-1 në favorin e saj dhe i bashkangjitet Romës në vendin e katërt të klasifikimit me 51 pikë.

Como priti vetëm 14 minuta për të zhbllokuar rezultatin me Baturinën. Kroati ishte shumë i shpejtë në zonë për të dërguar në rrjetë një top që kishte mbetur në qendër pas një karambolimi te Dossena dhe Da Cunha. Por në minutën e 36, Como humbi një prej futbollistëve më të rëndësishëm të tij, Perrone për shkak të një goditje të marrë në pjesën e pasme të kofshës.

Cagliari nga ana e tij dukej i ngrirë në fushën e lojës në këtë pjesë të parë, por në fillimin e 45 minutave të dyta, skuadra sarde arriti të barazojë shifrat në 1-1 me golin e Sebastiano Esposito pas një aksioni të nisur nga Palestra. Por në minutën e 77, kapiteni i Comos, Da Cunha me një gjuajtje me të majtën nga distanca shënoi një gol kryevepër për Comon duke i dhënë avantazhin 2-1, një rezultat që nuk ndryshoi më deri në fundin e sfidës me skuadrën e Fabregas që mori 3 pikët e radhës duke vazhduar të mahnisë të gjithë në futbollin italian, ndërsa Cagliari mbetet me 30 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB