Ankth për Ronaldon, humbet penalltinë dhe del i dëmtuar nga fusha, 3 muaj larg Botërorit të tij të fundit…
Sassuolo bën befasinë në Serie A teksa mundi Atalantën ndeshjen e javës së 27 të Serie A. Në Mapei Stadium, Sassuolo arriti të fitojë këtë përballje me rezultatin 2-1 në një sfidë të cilën për më tepër e mbylli me 10 futbollistë.
Atalanta vinte në këtë ndeshje me entuziazmin e përmbysjes së madhe ndaj Borussia Dortmund duke u kualifikuar për në 1/8 e finaleve të Ligës së Kampioneve. Dhe në fakt në minutën e 10 Zalewski pati një shans të artë për t’i dhënë avantazhin Atalantës por nuk e shfrytëzoi atë. Në krahun tjetër Carnesecchi shpëtoi portën e tij nga një gjuajtje me kokë e Thorsvedt, ndërkohë që pak çaste më vonë ndodhi episodi që ndezi përfundimisht ndeshjen, ndëshkimi me karton të kuq i Pinamontit.
Sulmuesi ndërhyri ashpër në kavijlen e Gjimshitit në gjysmëfushën e skuadrës së tij duke u ndëshkuar kështu me karton të kuq direkt. Megjithatë ndonëse me 10 futbollistë, Sassuolo zhbllokoi rezultatin duke marrë kryesimin në 1-0 pas golit të Kone të shënuar pas ekzekutimit të një goditje këndi.
Në minutën e 69, Sassuolo gjeti edhe golin e dytë me Thorstvedt që shënoi me një gjuajtje me të majtën. Në minutën e 88 Atalanta shkurtoi diferencën në 2-1 me Musah por nuk mundi dot të bëjë ndonjë gjë më shumë dhe sfida u mbyll me fitoren e Sassuolos që regjistroi fitoren e tretë radhazi duke u ngjitur në 38 pikë, ndërsa Atalanta mbetet me 45 pikë me bergamaskët që shohin t’u ndërpritet seria e 9 ndeshjeve radhazi pa humbje në kampionat.
Top Channel