Nga Durrësi në Spanjë, vihet në pranga shqiptari i shpallur në kërkim prej më shumë se 20 vitesh për trafik droge në Itali
Cristiano Ronaldo mund të largohet nga Arabia Saudite gjatë verës, pas një përplasjeje të fortë me drejtuesit e Al-Nassr lidhur me strategjinë e merkatos.
Sipas raportimeve, ylli portugez është thellësisht i pakënaqur me politikat e klubit, veçanërisht krahasuar me rivalët e tjerë të Ligës Saudite, si Al-Ittihad, Al-Hilal dhe Al-Ahli, të cilët gjithashtu financohen nga fondi shtetëror PIF.
41-vjeçari thuhet se ka hyrë në “grevë” pas zhgënjimit të madh gjatë merkatos së janarit, ku Al-Nassr nuk afroi asnjë yll nga kampionatet kryesore evropiane. Situata u përkeqësua edhe më shumë pas largimit të Karim Benzema nga Al-Ittihad drejt Al-Hilal, një zhvillim që mendohet se ka rritur ndjeshëm tensionin mes Ronaldos dhe klubit të tij.
Si pasojë, Ronaldo raportohet se nuk mori pjesë në fitoret ndaj Al-Ittihad dhe Al-Riyadh. Edhe pse Al-Nassr dëshiron që pesë herë fituesi i Topit të Artë të qëndrojë, kontrata e të cilit skadon në vitin 2027, burime pranë klubit bëjnë të ditur se ai mund të lejohet të largohet nëse vendos ta mbyllë aventurën e tij në Riad. Thuhet gjithashtu se Ronaldo ka një klauzolë largimi prej rreth 43 milionë paundësh në fund të sezonit.
Opsionet e mundshme për të ardhmen
Sporting Lisbona shihet si zgjedhja më romantike për Ronaldon, pasi është klubi ku ai nisi karrierën e tij profesionale. Një rikthim në “Estadio José Alvalade” do të shoqërohej me një pritje madhështore, por paga e tij aktuale prej rreth 488 mijë paundësh në ditë përbën një pengesë të madhe financiare.
Como 1907, klubi italian i drejtuar nga Cesc Fabregas dhe në pronësi të miliarderëve indonezianë Hartono, është një tjetër alternativë surprizë. Me një pasuri të përbashkët mbi 35 miliardë paund, pronarët do të kishin mundësi të paraqisnin një ofertë konkurruese.
Inter Miami mbetet një opsion shumë joshës nga ana mediatike. Një transferim në MLS do t’i jepte mundësinë Ronaldos të luante për herë të parë në të njëjtin ekip me rivalin e tij historik, Lionel Messi, nën pronësinë e David Beckham. Një lëvizje e tillë do të ishte edhe një goditje e madhe marketingu.
Një tjetër skenar është kalimi te Al-Hilal, duke qëndruar në Arabinë Saudite. Ky transferim do ta ribashkonte Ronaldon me ish-shokë skuadre si Benzema dhe Theo Hernandez, si dhe me bashkëkombasin Ruben Neves, ndërsa do t’i garantonte vazhdimësinë e pagës së tij astronomike.
Në fund, nuk përjashtohet as një rikthim te Manchester United, pavarësisht ndarjes së trazuar në vitin 2022. Me klubin aktualisht nën drejtimin e përkohshëm të Michael Carrick, me të cilin Ronaldo ka pasur sukses të madh në të kaluarën, një rikthim i bujshëm mbetet një mundësi e hapur, sidomos nëse “Djajtë e Kuq” sigurojnë një vend në Champions League.
Top Channel