Serie A/Inter nuk gabon, zikaltrit mundin pastër Cagliarin, edhe një hap më pranë titullit
Milani arriti një fitore të rëndësishme ndaj Torinos falë golave të Pavlovic, Rabiot dhe Fofana, por ajo që bie menjëherë në sy është se sulmuesit e skuadrës vazhdojnë të jenë pa gola.
Që nga 18 shkurti, dita e ndeshjes Milan-Como, i vetmi lojtar ofensiv që ka shënuar në gjashtë ndeshjet e mëvonshme është Rafa Leao, me golin e barazimit kundër Cremonese në minutën e 95-të.
Problemi me mungesën e golave të sulmuesve ka qenë sfidë për trajnerin Massimiliano Allegri gjatë gjithë sezonit. Sidomos kundër ekipeve të vogla, që mbyllen pas, Milani ka ndjerë mungesën e një bomberi të vërtetë në zonë.
Edhe ardhja e Niclas Fullkrug në janar, për të zëvendësuar Gimenez-in e dëmtuar, nuk ka zgjidhur problemin. Sulmuesi gjerman nisi mirë me golin vendimtar ndaj Lecce-s në San Siro, por më pas ka humbur ritmin. Një rikuperim i tij, edhe për një shifër relativisht të ulët prej 5 milionë eurosh, duket i vështirë.
E njëjta fatkeqësi ka ndodhur me Christopher Nkunku. Sulmuesi francez erdhi në verë nga Chelsea për 40 milionë euro dhe dukej se po ngrihej në formë me 4 gola në tre ndeshje, përfshirë dopietën kundër Veronës. Por nga mesi i janarit, ai ka shënuar vetëm 1 gol dhe ka dhënë 1 asist në dy muajt e fundit.
Edhe Christian Pulisic ka treguar dy fytyra këtë sezon. Amerikani e nisi sezonin shumë mirë fillimisht me 8 gola dhe 2 asist në 17 ndeshje, por në 2026 ai ende kërkon golin e parë. Pozicioni i tij në skuadër nuk është i diskutueshëm dhe ai pritet të mbetet në Milano përveç nëse vijnë oferta të papërballueshme.
Vetëm Leao ka mbajtur një ritëm të qëndrueshëm këtë vit, me 5 gola që nga janari dhe 9 gjithsej në kampionat. Megjithatë, ai është në syrin e tifozëve për sjelljen dhe pozicionin në fushë, duke luajtur si sulmues qendror në formacionin 3-5-2 të Allegri-t, jo pozicioni i tij i preferuar. Një largim i tij në merkato mund të hapë rrugën për një “revolucion ofensiv”.
Top Channel