E ardhmja e Sandro Tonalit deri në qershor është e lidhur me Newcastle, skuadrën e mirëpriti, që i hapi dyert e Premier League ku ai konsiderohet si një prej mesfushorëve më të mirë të kampionati dhe e ka pritur me durim gjatë skualifikimit të tij në çështjen e basteve.

Por në verë, futbollisti 26 vjecar mund të rivlerësojë të ardhmen e tij, ndoshta me një tjetër fanelë bardhezi, atë të Juventusit që është aty gjithë sy e veshë. Nuk do të jetë nje operacion i lehtë, si për vlerën e futbollistit, kartoni i të cilit pritet të ketë një çmim të lartë, si për faktin se Magpies nuk duket se kanë ndërmend të privohen prej tij.

Shumë do të varet edhe nga muajt e fundit të sezonit dhe klasifikimit në Premier League që për momentin e sheh Newcastle në vendin e 11, pra nuk është shumë pranë zonës evropiane. Mbetja jashtë kompeticioneve evropiane të Newcastle hap skenarë të tjerë sidomos pas zërave të ditës së fundit të merkatos së transferimit të muajit janar. Ai që ishte më realist kishte të bënte me Arsenalin që kishte hedhur sytë nga Tonali për të përforcuar akoma më shumë mesfushën e tij që është tashmë në nivele të larta, në Angli dhe Champions League. Newcastle ngriti menjëherë murin edhe për shkak të kohës së shkurtër që do të kishte skuadra e Howe për të gjetur zëvendësuesin e Tonalit. Kështu që duket se gjithçka do të diskutohet në muajt e verës, ndërkohë që kujtojmë se Tonali së fundmi ka rinovuar me Newcastle deri në 2029

Duke u kthyer te Juventusi, edhe për klubin bardhezi ëndrra për të kthyer në Itali mesfushorin mund të shndërrohet në një objektiv konkret vetëm në rast kualifikimi në Ligën e Kampioneve të sezonit të ardhshëm dhe në varësi të fondeve që do të arkëtojë për t’i investuar në merkato. Tonali është një objektiv i vjetër i Zonjës së Vjetër ku edhe Luciano Spalletti do të ishte i kënaqur të punonte me një futbollist që e vlerësonte që nga koha kur ai ishte te kombëtarja, por që në atë kohë nuk mundi të punojë me të për shkak të skualifikimit.

Pra gjithçka duket se do të shihet më qartë në qershor, por gjërat mund të konfigurohen që në mars e prill; jo vetëm për faktin që Tonali do të luajë për kualifikimin e Italisë në Botëror me Italinë, por edhe sepse në atë moment thuajse do të jetë përcaktuar fati në kampionat i Newcastle dhe Juventusit(dhe pse jo edhe Arsenalit). Futbollisti dhe agjenti do të bisedojnë me klubin anglez nga ku do të përcaktohet e ardhmja e mesfushorit përtej sezonit 2025/2026.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB