Investimet në futboll, përurohet fusha e shkollës ‘Benardina Qerraxhia’ në Durrës, Duka: I shërben të ardhmes së fëmijëve në futboll

21/01/2026 12:06

Vijojnë investimet e Federatës Shqiptare të Futbollit. Në Durrës u përurua fusha e re e futbollit pranë shkollës së Mjeshtërisë Sportive “Benardina Qerraxhia”, një projekt që do t’iu shërbejë jo vetëm nxënësve të kësaj shkolle, por edhe fëmijëve të akademisë së FSHF-së “Elite Youth”.

Investimi u realizua në kuadër të projektit “100 fushat”, një nga nismat më ambicioze të Federatës së Futbollit për zhvillimin e infrastrukturës sportive në të gjithë vendin. Në ceremoninë e inaugurimit, Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka, i shoqëruar nga Drejtoresha e shkollës “Benardina Qerraxhia”, nxënësit e shkollës dhe futbollistët e akademisë “Elite Youth”, theksoi rëndësinë e këtij investimi si pjesë e një vizioni afatgjatë për të ardhmen e fëmijëve dhe të futbollit shqiptar.

‘Ju falënderoj për pjesëmarrjen. Sot jemi këtu për të inaguruar fushën e shkollës, që do t’i shërbejë jo vetëm nxënësve, por edhe akademisë Elite Youth të FSHF për të rritur talentin e tyre në këtë fushë moderne. Ky projekt është vazhdim i projekteve të FSHF për përmirësimin e infrastrukturës, për të vënë sa më shumë hapësira moderne për fëmijët tanë, për edukimin e fëmijëve në Shqipëri. Një detyrë realisht e vështirë për të gjitha kushtet që ka vendi dhe kjo është një nga ato fusha që ne kemi investuar. Projekte të tilla vazhdojnë dhe janë projekte që do t’i shëbejnë akoma edhe më shumë të ardhmes së fëmijëve’-tha presidenti i FSHF, Armand Duka

Më pas në një mesazh për fëmijët dhe të rinjtë, Presidenti nënvizoi rolin edukues dhe social të futbbollit, duke i ftuar ata të mos heqin dorë nga pasioni dhe ëndrrat e tyre.

‘Ju ftoj juve që jeni në fushë, megjithëse në një moshë të maturuar, të vazhdoni këtë pasion, futbollin-vijoi kreu i qeverisë shqiptare-Do të keni mbështetjen jo vetëm të Federatës së Futbollit, por edhe të institucioneve shqiptare për t’ju krijuar kushte sa më të mira, për të vazhduar këtë pasion dhe për të ndjekur ëndrrën tuaj. Uroj që të bëheni futbollistë profesionistë, të bëheni shumë të mirë. Edhe nëse nuk bëheni profesionistë, futbolli do t’ju shërbejë shumë në jetë, pasi në këtë botë të sotme, të egër, ku fëmijët tërhiqen edhe nga veset, futbolli shërben për t’i larguar, për t’i edukuar ndjenjën e sakrificës, frymën e skuadrës që do të jetë shumë e rëndësishme në të gjithë jetën tuaj edhe pas futbollit profesionist. Asnjëherë mos u dorëzoni, asnjëherë mos u tërhqni duke menduar se nuk u bëra titullar në një skuadër por vazhdojeni atë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB