“Për 14 orë po nuk e zëvendësuat flamurin e grisur, ju shkarkoj”, Mitro Çela tregon historinë me Azemin pas kthimit nga Greqia: Para na doli polici me mustaqe kur…

16/12/2025 22:29

Pas në kohë është kthyer Mitro Çela, duke treguar një histori interesante të vitit 1992, kohë kur ishte deputeti i PD, me Azem Hajdarin, teksa ndodheshin në një vizitë në Greqi.

Me një përshkrim edhe me batuta të holla, ai kujton momentin kur janë kthyer dhe në doganën shqiptare në Kakavijë kanë parë flamurin shqiptar të vjetërsuar, të grisur, dhe urdhrin që Hajdari u ka dhënë për ta ndërruar brenda 14 orëve, në të kundërt do të pushoheshin nga puna.

Postimi i plotë:
POLICI REBEL ME MUSTAQE
Tetor 1992. Me Azemin dhe Filipin në Greqi.
Azemi ishte kryetar delegacioni dhe shofer.
Në Athinë na u bënë nderet maksimale.
Fjetëm në hotel me pesë cepa (Hilton).
Vizituam dy-tre buzukë.

Na priti ministri i Jashtëm Samaraj.
Në kthim, pasi kaluam Janinën qëndruam në Kakavijë.
Pasi hodhi një vështrim në godinën e doganës, Filipi tha:
– Ne Azem, jemi udhëheqës. Shiko Flamurin! I grisur. Copë-copë.
Nuk e lëviz as era.

Turp për qeverinë tonë demokratike!
Në kohën e Enverit, flamuri valëvitej krenar?!
Na merr inat i uruari Azem! Ishte i prerë për çështje kombëtare!
I sulet shefit të policisë, drejtorit të doganave, këdo që i doli përpara…
-Nëse nuk këmbehet flamuri për 14 orë, të gjithë jeni të pushuar në vend…

Pas këtij akti revolucionar, morëm rrugën drejt Gjirokastrës.
Në atë mot, ende greku nuk e kishte bërë autostradën.
Rruga ishte e ngushtë. Gropat nuk lejonin të shihej asfalti.

Duke ecur, përpara u shfaq një makinë.
Në timon një djalë 12-13 vjeç.
Në krah i rrinte një polic me mustaqe.
Azemi tentoi ta parakalonte. Djalka i bënte dredha.

Dhe kujt:
heroit të demokracisë!
Më në fund, kur inati i Azemit kishte arritur në zenit, falë edhe këshillave gjithë lezet të Filipit, e parakaluam makinën.
Qëndruam.

Nga makina doli polici dhe djali shofer.

Polici me mustaqe ishte bërë karroqe.
– Dy herë faj, – ulëriti Azemi. – Ke pirë në detyrë. Makinen e nget një fëmije?!
– Të kërkoj ndjesë zoti ministër, – tha polici.
– Nuk jam ministër. Jam Azem Hajdari! Nuk ke bërë gabim. Faj. Faj të rëndë. Kush bën faj dënohet.
– Ashtu, – tha polici. Po me çfarë dënimi?
– Prangat, janë pak!

Filip: vuri prangat këtij maskarai që militon në radhët e policisë sonë demokratike?!
– Nuk ka problem, – tha polici me mustaqe duke iu marrë goja. – Unë nga burgu kam ardhur! Kam qenë i dënuar për politikë…

Me të thënë këto fjalë, kryqëzoi duart dhe i drejtoi nga Filipi.
– Azem! Nuk kam më pranga. Ato që kisha i “shpenzova” rrugës. Le ta falim mavrinë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB