Ndërsa festat po afrojnë, një familje shqiptare vazhdon të jetojë në rrugë në Montpelje të Francës.
Sipas mediave franceze çifti, që ka ikur nga vendi me katër fëmijë, përfshirë një foshnjë 20-muajshe të sëmurë, nuk kanë gjetur ende strehim emergjent, pavarësisht thirrjeve të përditshme në shtetin francez.
Prej një jave, ata kanë vendosur çadrat e tyre pranë Bashkisë. Të hënën në mbrëmje, rreth 60 persona morën pjesë në një tubim, të organizuar nga shoqatat “Un toit, un avenir” dhe “Solidarité Partagée”, që ndihmojnë familjen prej javësh.
Samuel Forest, president i shoqatës Solidarité Partagée, shprehu shqetësimin për gjendjen e familjes: “Situata është e papranueshme. Fëmijët sëmuren nga të ftohtit. Kemi parë raste kur familjet qëndrojnë deri në katër muaj në rrugë. Kjo nuk është normale dhe pushteti vendor nuk po ndërhyn”.
Sipas prefekturës së Montpeljesë, familja nuk konsiderohet prioritet për strehim emergjent, pasi gjendet në situatë të parregullt ligjore dhe kërkesa e tyre për azil është refuzuar. Gjykata Administrative e qytetit më 8 dhjetor ka rrëzuar gjithashtu kërkesën e tyre për strehim.
Një tjetër tubim mbështetës është planifikuar të dielën, më 21 dhjetor, në orën 14:00, përsëri para Bashkisë së Montpeljesë.
Top Channel