Për njerëzit që shpresojnë, këto janë disa zakone që mund të bëni për të rritur shpresat
Një video e padeklaruar më parë nga xhirimet e filmit ‘It Ends With Us’ ka sjellë një kthesë të papritur në betejën ligjore mes Blake Lively dhe Justin Baldoni.
Klipi, i paraqitur nga avokatët e Baldonit në gjykatë, përdoret si provë për të kundërshtuar akuzat e Lively-t se regjisori dhe aktori e ka ngacmuar gjatë punës në film.
Sipas dokumenteve të paraqitura në gjykatë, pamjet tregojnë Lively-n gjatë një skene të xhiruar në maj 2023, ku ajo afrohet, i kap duart Baldonit dhe e puth shkurt, përpara se të largohet. Avokatët e tij theksojnë se kjo puthje nuk ishte pjesë e skenarit, duke pretenduar se aktorja e ka improvizuar vetë.
Sipas Baldonit Lively ka marrë iniciativa të ngjashme me ato që ajo tani i përshkruan si sjellje të papërshtatshme nga ana e tij, duke e vënë në pikëpyetje bazën e akuzave të saj.
Pretendimet e Lively-t dhe përshkallëzimi ligjor
Blake Lively ka akuzuar Baldonin për ngacmim seksual, sjellje të papërshtatshme dhe hakmarrje profesionale, duke pretenduar se ai dhe producentët e filmit kanë krijuar një mjedis të pasigurt përgjatë xhirimeve.
Ajo ka deklaruar se në rikthimin në set pas grevave të Hollywood-it në janar 2024, kishte vendosur një listë të qartë kërkesash, ndër të cilat ishte edhe ndalimi i puthjeve të improvizuara.
Nga ana tjetër, Baldoni ka hedhur poshtë çdo akuzë dhe është kundërpërgjigjur fillimisht me një padi për shpifje ndaj Lively-t, bashkëshortit të saj Ryan Reynolds dhe New York Times, por kjo padi u rrëzua nga gjykata.
Çështja është komplikuar edhe më shumë nga akuzat e Lively-t se Baldoni dhe ekipi i tij kanë koordinuar një fushatë online kundër saj. Ajo pretendon se PR-i i Baldonit ka përdorur mjete digjitale, aplikacione me mesazhe që fshihen automatikisht dhe strategji të qëllimshme për ta dëmtuar publikisht.
Sipas avokatëve të saj, disa dokumente dhe komunikime janë fshehur apo nuk janë dorëzuar në kohë gjatë procesit të provave. Këto pretendime janë mbështetur edhe nga deklarata të ish-punonjësve të një agjencie PR të përfshirë në projekt.
Humbja e fundit për Lively-n në gjykatë
Javën e kaluar, Lively pësoi një tjetër goditje ligjore. Një gjykatës në New York hodhi poshtë padinë e saj kundër strategut të mediave sociale Jed Wallace, duke vendosur se ai nuk ka lidhje të mjaftueshme me shtetin e New Yorkut për t’u gjykuar atje.
Gjykata i la të hapur mundësinë që Lively ta ndjekë padinë ndaj Wallace në Teksas.
Edhe pse It Ends With Us ishte një sukses i madh komercial, duke grumbulluar mbi 350 milionë dollarë në gjithë botën, filmi është tashmë në qendër të një skandali të ndërlikuar ligjor, i cili ka errësuar çdo arritje artistike.
Të dyja palët janë duke u përgatitur për procesin kryesor gjyqësor që pritet të zhvillohet në mars në New York, një përballje që pritet të zbulojë më shumë detaje mbi marrëdhënien e tensionuar gjatë xhirimeve.
Top Channel