Sulmi me 11 të plagosur në Britani/ Publikohen pamjet tronditëse, momenti kur neutralizohet sulmuesi në tren

02/11/2025 18:56

Momente paniku janë regjistruar në stacionin e Huntingdon, ku pas një sulmi të rëndë me thikë në një tren të linjës LNER, policia britanike ka neutralizuar dhe arrestuar dy të dyshuar.

Daily Mail ka publikuar pamjet, ku shfaqet momenti kur një prej dy të arrestuarve, njëri i moshës 32 vjeç dhe tjetri 35 vjeç, me thikë në dorë po përpiqej të largohej nga treni, ndërsa oficerët i vunë prangat pasi e paralizuan.

Sulmi ndodhi mbrëmjen e së shtunës, rreth orës 19:42 (ora lokale), ndërsa treni sapo kishte lënë Peterborough-in. Sipas autoriteteve, 11 persona u dërguan në spital, dy prej tyre në gjendje kritike.

Një prej udhëtarëve tregon se një burrë i moshuar ndërhyri për të mbrojtur një vajzë të re dhe u plagos rëndë në kokë e qafë. “Gjithçka ishte e mbuluar me gjak, njerëzit bërtisnin dhe vraponin”, tregon ai.

Brenda pak minutash, dhjetëra oficerë të armatosur mbërritën në vendngjarje. Dy britanikë të moshës 32 dhe 35 vjeç u arrestuan në vendngjarje nën akuzën e tentativës për vrasje. Policia konfirmoi se nuk ka asnjë tregues se bëhet fjalë për akt terrori, ndonëse fillimisht u aktivizua protokolli “Code Plato” për sulm të armatosur, i cili më pas u anulua.

Hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e motiveve, ndërsa stacioni dhe zona përreth mbeten të bllokuara nga forcat e rendit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve që kanë informacion ose pamje nga ngjarja të kontaktojnë policinë.

 

FOTO GALERI
2/5

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta