“Na duhet fitorja, pavarësisht stadiumit ku luajmë”/ Juljan Shehu para duelit me Serbinë: Jemi profesionistë, të realizojmë objektivin

06/10/2025 11:53

Kombëtarja shqiptare ka nisur grumbullimin sa i përket finales për në Botëror me Serbinë, sfidë që do të luhet më 11 tetor në Leskovc.

Kuqezinjtë synojnë vetëm fitore në këtë përballje, teksa mesfushori i Kombëtares, Juljan Shehu, tha në konferencën për mediat se kjo sfidë është e rëndësishme dhe se ekipi do të japë maksimumin për të marrë tre pikët.

“Ne jemi profesionistë, kështu që presioni është gjë normale. Kjo është ndeshje e rëndësishme për ne dhe do të shkojmë atje për të marrë maksimumin e mundshëm.

Për ne, siç e thashë më përpara, jemi të gjithë të fokusuar te objektivi që kemi. Do të shkojmë atje të bëjmë maksimumin dhe të marrim tri pikët. Nuk kemi folur ende me çunat, sepse nuk jemi grumbulluar të gjithë. Gjithsesi për ne është e rëndësishme të marrim fitoren, pavarësisht stadiumit ku luajmë.

Normalisht që është një ndjese me rëndësi të madhe për ne, sepse nga kjo sfidë vendoset dhe vazhdimësia e objektivit që ne kemi për në Botëror. Prandaj ne jemi të fokusuar për të marrë maksimumin dhe për të realizuar ëndrrën në Botëror.

Ne në Kombëtare jemi të gjithë për të bërë më të mirën, pavarësisht se kush starton ose jo. Ne jemi këtu për të bërë më të mirën dhe maksimumin. Ramadanin e kam shok dhe e mbështesim njëri-tjetrin.

Besoj se kam sjellë versionin më të mirë timin te Kombëtarja, pavarësisht pozicionit dhe taktikave”, tha Shehu.

Top Channel