Australia ka vendosur t’i revokojë vizën reperit amerikan Kanye West, i njohur edhe si Ye, pas publikimit të këngës së tij të fundit me titullin kontrovers “Heil Hitler”, e cila ka ngjallur reagime të ashpra në mbarë botën për përmbajtjen e saj të hapur antisemitike.

Lajmi u konfirmua nga Ministri i Punëve të Brendshme, Tony Burke, i cili tha se vendimi u mor pas një rivlerësimi nga autoritetet e imigracionit, të cilët konsideruan se përmbajtja e këngës promovon propagandë naziste dhe gjuhë të urrejtjes.

“Në Australi nuk ka vend për promovimin e nazizmit. Ne tashmë përballemi me mjaft sfida dhe nuk kemi nevojë të importojmë fanatizëm nga jashtë”, deklaroi Burke në një intervistë për mediat lokale.

Kënga, e publikuar në maj, përmban referenca të drejtpërdrejta dhe lavdëruese për diktatorin Adolf Hitler, përfshirë një pjesë të një fjalimi të vitit 1935.

Si pasojë, kënga është ndaluar në disa platforma të transmetimit dhe në vende si Gjermania, ku ligjet e ndalojnë rreptësisht përhapjen e propagandës naziste.

Ministri Burke shtoi se edhe pse Kanye kishte hyrë më parë në Australi, përfshirë vizitat private në vendlindjen e bashkëshortes së tij, modeles australiane Bianca Censori, kjo situatë përbën një rast të veçantë.

“Pas publikimit të kësaj kënge, u rihap shqyrtimi i vizës së tij dhe u konstatua se ai nuk i plotëson më kriteret për të hyrë në Australi”, shtoi ai.

Megjithatë, ai theksoi se ky vendim nuk është i përhershëm, pasi çdo aplikim për vizë në të ardhmen do të shqyrtohet veçmas.

“Por, duke marrë parasysh qëndrimet e tij të fundit dhe promovimin e gjuhës së urrejtjes, është e vështirë të shihet se si ai mund të kualifikohet për një vizë në këtë fazë”, përfundoi Bruke.

Top Channel