
Pas një debutimi mbresëlënës kundër Al-Ain, Juventusi vazhdoi formën e tij të shkëlqyer në Kupën e Botës për Klube me një tjetër fitore bindëse, këtë herë ndaj kampionëve afrikanë të Wydad Casablanca.
Në ndeshjen e dytë të Grupit G, “Bianconerët” fituan me rezultatin 4-1, duke siguruar matematikisht kalimin në fazën e 1/16-ve të turneut që po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara.
Ndeshja nisi me një ritëm të lartë nga Juventusi, që mori kontrollin e lojës që në minutat e para. Pas një posedimi të gjatë, Marcus Thuram asistoi për Kenan Yildiz, i cili e mposhti portierin kundërshtar me një goditje të saktë me të majtën, falë edhe një devijimi të lehtë. Ky ishte goli i dytë për sulmuesin turk në këtë turne.
Yildiz vazhdoi paraqitjen e tij spektakolare duke realizuar një tjetër perlë: pas një aksioni të ndërtuar me durim, Cambiaso asistoi dhe Yildiz goditi nga distanca me të djathtën, duke dyfishuar rezultatin me një goditje të bukur në cep të portës.
Skuadra marokene arriti të reagojë duke shfrytëzuar një moment të dobët të mbrojtjes italiane. Lorch fitoi një dyluftim me Di Gregorion dhe ngushtoi rezultatin në 2-1, duke rikthyer për pak emocione në sfidë.
Por Juventusi nuk u ndal. Yildiz, i pandalshëm gjatë gjithë ndeshjes, mori një asist nga Kolo Muani, shmangu një mbrojtës dhe shënoi golin e tretë, duke rikthyer epërsinë e dy golave.
Në fundin e takimit, Juventusi fitoi një penallti dhe Dusan Vlahoviç u tregua i saktë nga pika e bardhë. Me një goditje elegante, serbi vulosi rezultatin përfundimtar 4-1 dhe fitoren e dytë radhazi për “Zonjën e Vjetër”.
Tashmë, Juventusi është zyrtarisht i kualifikuar për fazën tjetër të turneut, me bardhezinjtë që po tregojnë se janë një pretendent për ta fituar këtë titull.
Top Channel