Shqiptarët në shënjestër të reformave të reja? The Times paralajmëron për plane radikale anti-emigracioni në Angli

10/05/2025 16:20

Reformat e pritshme që Ministrja e Brendshme britanike do të njoftojë javën e ardhshme, mendohet se do të jenë jetësore për përpjekjet e kryeministrit Starmer për të luftuar popullaritetin në rritje të Partisë Reforma, të babait të Brexit-it, Nigel Farage, partia e të cilit ndodhet 10 pikë përpara Laburistëve në pushtet në sondazhet e opinionit publik dhe i shkaktuan një humbje të thellë dy partive kryesore në zgjedhjet e fundit të pjesshme lokale.

Sipas The Times, në planet e reja anti-emigracion do të kufizohet mundësia e azilkërkuesve që u është refuzuar kërkesa, apo kriminelëve të huaj, që të përdorin lidhjet e të drejtave të njeriut për të bllokuar riatdhesimin e tyre në vendet e origjinës, përfshirë edhe ata shqiptarë.

Qeveria britanike pritet të ndryshojë ligjin për të kufizuar interpretimin e Nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nen i cili mbron të drejtën e pasjes së jetës familjare dhe private, që përdoret rëndom për bllokimin e deportimeve nga Britania.

Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, apeloi së fundmi me sukses ndaj një vendimi të Tribunalit të Emigracionit për rastin e një shqiptari të dënuar, i cili kërkoi qëndrimin e mëtejshëm për shkak të vështirësive emocionale, pasi djali i tij dhjetëvjeçar nuk do të mund të hante dot një produkt me mish pule nga ato që gjenden jashtë Britanisë.

Leja e përhershme e qëndrimit për ata që jetojnë në Britani, në planet e reja të qeverisë, pritet të rritet nga 5 në dhjetë vjet pritje për një kategori emigrantësh. Po ashtu, pritet të rriten kriteret për testin e gjuhës angleze për të huajt.

Pritet po ashtu të ketë kufizime për dhënien e vizave nga disa vende, shtetasit e të cilave kanë më shumë gjasa të thyejnë vizën britanike apo të kërkojnë azil, ku përfshihen vende si Pakistani, Nigeria dhe Sri Lanka, por ende nuk përmendet Shqipëria në njoftimet në median vendase.

Në këtë kontekst, interesante pritet të jetë vizita e kryeministrit britanik Starmer në Tiranë javën e ardhshme, ku mendohet gjerësisht se çështja e qendrave të ngjashme të shqyrtimit të azilit për emigrantët e huaj që mbërrijnë në Britani, si ato me Italinë në Gjadër, pritet të jenë në agjendën e takimit me homologun e tij shqiptar.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta