Macron paralajmëron Rusinë pak para videokonferencës në Kiev: Do të ketë sanksione të ashpra nëse nuk pranon armëpushimin

10/05/2025 10:35

Presidenti francez Emmanuel Macron i dërgoi një mesazh të fortë Rusisë, duke paralajmëruar se nëse Moska nuk pranon armëpushimin 30-ditor të propozuar nga vendet evropiane dhe presidenti amerikan Donald Trump, “do të përballet me sanksione shtesë, shumë më të ashpra.”

Këtë deklaratë ai e bëri gjatë një interviste për rrjetet televizive franceze TF1 dhe LCI, teksa udhëtonte me tren për në Kiev së bashku me udhëheqësit evropianë Friedrich Merz, Keir Starmer dhe Donald Tusk.

Macron bëri thirrje për “negociata të drejtpërdrejta mes Ukrainës dhe Rusisë”, duke nënvizuar se nëse pranohet armëpushimi, “do të nisnim bisedime direkte Ukrainë-Rusi. Ne jemi të gatshëm të ndihmojmë.”

Gjatë qëndrimit të tij në Sheshin Maidan në Kiev, Macron theksoi rëndësinë e bashkëpunimit aktual mes Polonisë, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe, duke e cilësuar si një “moment historik për mbrojtjen evropiane” dhe për pavarësinë e sigurisë së kontinentit. “Kjo është një epokë e re – një Evropë që e sheh veten si fuqi”, deklaroi ai.

Deklarata e Përbashkët e Katër Udhëheqësve

Në një deklaratë të përbashkët, Macron, Merz, Starmer dhe Tusk akuzuan presidentin rus Vladimir Putin për “pengimin e përpjekjeve për të siguruar një paqe të qëndrueshme”. Ata bënë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm dhe të pakushtëzuar për 30 ditë, në bashkëpunim me SHBA-në, për të krijuar terrenin e duhur për bisedime serioze.

“Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet e paqes sa më shpejt që të jetë e mundur, të diskutojmë zbatimin teknik të armëpushimit dhe të përgatitemi për një marrëveshje gjithëpërfshirëse paqeje,” thuhet në deklaratë.

Liderët theksuan se “gjakderdhja duhet të ndalet”, duke nënvizuar se Rusia duhet të tërhiqet nga pushtimi i saj i paligjshëm dhe se Ukraina duhet të jetë në gjendje të lulëzojë si një shtet sovran dhe i sigurt brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Ndërkohë, Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përsëriti thirrjen e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. “Kam një mesazh për të dyja palët: Jepini fund kësaj lufte,” tha Trump, duke iu drejtuar drejtpërdrejt presidentëve Putin dhe Zelensky. “Ndalojeni këtë luftë të pamend!”

Këto deklarata vijnë vetëm një ditë pas paradës së madhe ushtarake të mbajtur në Moskë për Ditën e Fitores, ku presidenti rus Vladimir Putin demonstroi forcë në një moment kritik për konfliktin në Ukrainë.

Trump do të nisë të hënën një turne në vendet e Gjirit – Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katar – ku, përveç çështjeve rajonale, pritet të diskutojë edhe për krizën në Ukrainë.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta