KQZ ka pritur 19 delegacione nga Trupat e Menaxhimit Zgjedhor të vendeve të ndryshme të botës dhe organizatave që operojnë në fushën e zgjedhjeve për 11 majin.

Përfaqësues të KQZ-ve nga Armenia, Azerbajxhan, Bosnje Hercegovina, Estonia, Gjeorgjia, Kroacia, Kosova, Lituania, Moldavia, Maqedonia Veriut, Mali i Zi, Finlanda, Suedia, Turqia dhe të Organizatës Botërore të Trupave Zgjedhore ndodhen në vendin tonë në kuadër të “Programi i vëzhguesve ndërkombëtarë të zgjedhjeve”, i cili zhvillohet për herë të dytë nga KQZ.

Në një postim në rrjetet sociale, KQZ shprehet se përfaqësuesit u njohën me përgatitjet e procesit zgjedhor, mënyrën e funksionimit të komisioneve zgjedhore të niveleve të dyta dhe të treta, monitorimin e fushatës zgjedhore, etapat dhe ecurinë e procesit të votimit elektronik, identifikimin elektronik të zgjedhësve, votimin dhe numërimin elektronik.

Po ashtu është prezantuar një tablo e plotë e masave të marra për të garantuar integritetin e procesit dhe transparencën e administrimit zgjedhor.

“Ata u njohën edhe me përpjekjet institucionale bashkë me SPAK dhe Prokurorinë e Përgjithshme për të luftuar krimet zgjedhore dhe shmangien e përdorimit të burimeve shtetërore në fushatë.

Programi i vëzhguesve ndërkombëtarë, synon që të prezantojë jo vetëm eksperiencën shqiptare të përgatitjes, menaxhimit dhe administrimit të procesve zgjedhore, por edhe të ofrojë edhe përvojën e risive të suksesshme që Shqipëria ka implementuar në proceset zgjedhore si, identifikimi elektronik i zgjedhësve dhe votimi nga jashtë.

Delegacionet e trupave të menaxhimit zgjedhor do të vëzhgojnë ditën e zgjedhjeve dhe do të njihen me disa nga pikat turistike dhe kulturore të vendit tonë.”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta