
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, foli në takimin e fundit elektoral të PS-së, teksa foli për rrugëtimin e Shqipërisë për të arritur anëtarësimin në BE.
Ajo u shpreh se Shqipëria ka qëndruar larg Bashkimit Europian për shkak të politikave, sipas saj “të këqija të tranzicionit”.
“Nuk mund të mos them se sot është dita e europës, sot 9 maj është dita kur ëndrra më e bukur politike që i thërret njerëzit drejt paqes, demokracisë, ekonomisë dhe zhvillimit, është ogur i mirë për ne dhe për fitoren tonë të 11 majit. Ishte Europa ideali, ideologjia, vizioni i rilindasve tanë. Europa ishte ëndrra, modeli, i atit themelues dhe etërve të tjerë të shteti shqiptar kur shpallën pavarësinë dhe e shpallën Shqipërinë republikë…
Ne u izoluam për shumë vite nga Europa për shkak të një regjimi të dhunshëm, por thirrja e brendshme “e duam Shqipërinë si gjithë Europa” buçiti sërish përtej të majtës e të djathtës, kudo në Shqipëri, ku njerëzit thërrisnin atë që kishte qenë ideali i të gjithë paraardhësve tanë.
Jemi larguar për shumë vite nga Europa, për shkak të politikave të këqija të tranzicionit, por sot në 12 vite Edi Rama ka bërë të mundur që Shqipëria të qëndrojë sot në dyert e BE-së, dhe për tu ulur si zonjë aty ku i takon. Është koha jo për zgjedhje, por për këtë mision, përtej çdo dallimi, flamuri partiak, përtej të majtës apo të djathtës”, u shpreh Spiropali.
Top Channel