
Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës ka pësuar një tjetër transformim falë investimeve të Grupit Kastrati, çka pritet ta shndërrojë atë në një nga aeroportet më të bukura në Europë.
Përveç zgjerimit të hapësirave të aeroportit dhe shtimit të kapaciteteve të parkimit, një fasadë e re ikonike do t’i japë aeroportit një funksionalitet dhe pamje krejtësisht të re.
Kryeministri Edi Rama pa nga afër punimet dhe përgëzoi Grupin Kastrati si dhe ekipin e Aeroportit Ndërkombëtar.
Edi Rama – Kryeministër: “Do të jetë më i bukuri në Europë, por edhe fiton goxha hapësirë terminali.”
Presidenti i Grupit, z. Shefqet Kastrati, u shpreh se këto ndryshime janë pjesë e një strategjie të qëndrueshme që synon ta transformojë aeroportin në qendër rajonale fluturimesh, jo vetëm për nga infrastruktura, por edhe për nga cilësia e shërbimit. Deri më sot, tha ai, Kastrati Group ka investuar mbi 150 milionë euro për të ndërtuar një standard të ri për transportin ajror në Shqipëri. Dhe ky, tha Kastrati, është vetëm fillimi i një transformimi të madh që është planifikuar për vitet në vijim.
Arkitekti italian Marco Casamonti ndër të tjera veçoi fasadën e re të aeroportit, që do t’i japë një dimension të ri dhe një pamje mbresëlënëse, sidomos gjatë natës, pasi do të jetë e ndriçuar me drita dhe projeksione të posaçme. Për këtë, ai tha se është frymëzuar nga motivet tradicionale shqiptare, të cilat ndërthuren me arkitekturën bashkëkohore, duke i dhënë një identitet unik estetik dhe kulturor.
Marco Casamonti – Arkitekt: “Tani mungojnë vetëm xhamat e kuq dhe ky shesh do të jetë flamuri i kuq shqiptar, me një gjatësi gjysmë kilometri, me granit dhe mermer, me një shqiponjë që lëviz.”
Kjo fasadë, prej 40 mijë metrash katrorë, do të jetë e mbuluar dhe, përveç funksionit estetik, do të shërbejë edhe si mburojë ndaj kushteve atmosferike.
Një strukturë e re parkimi me 1000 vende shtesë do të lidhet direkt me terminalin e aeroportit, duke e çuar në 3000 numrin e vendparkimeve, në një hapësirë prej 28 mijë metrash katrorë. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, me pamjen e re, pritet të jetë gati në sezonin e ri veror, ku është parashikuar një tjetër rritje e numrit të pasagjerëve që do ta aksesojnë atë.
Top Channel