
Pak para takimit të tij të parë të shumëpritur me kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney, Presidenti i SHBA-së Donald Trump zgjodhi të rriste tensionet.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump shprehu dëshirën e tij për të bashkëpunuar me udhëheqjen e re kanadeze, por nuk mungoi të qëllonte edhe ndaj vendit, duke folur për “privilegjet e tepërta” që, sipas tij, Kanadaja gëzon në kurriz të Shteteve të Bashkuara.
“Pres me padurim të takoj kryeministrin e ri të Kanadasë, Mark Carney. Dua vërtet të punoj me të. Por nuk mund ta kuptoj një të vërtetë të thjeshtë – pse Amerika subvencionon Kanadanë me 200 miliardë dollarë në vit, i siguron atij mbrojtje ushtarake falas dhe shumë më tepër?”, tha Trump.
Presidenti amerikan vazhdoi duke vënë në pikëpyetje rëndësinë e marrëdhënieve tregtare me vendin fqinj.
“Nuk kemi nevojë për makinat e tyre, nuk kemi nevojë për energjinë e tyre, nuk kemi nevojë për lëndën e tyre drusore, nuk kemi nevojë për asgjë që kanë – përveç miqësisë së tyre, të cilën shpresoj se mund ta ruajmë. Ata, nga ana tjetër, kanë nevojë për gjithçka nga ne!”, theksoi Trump.
Top Channel