Lamtumirë Papa Françesku! Arkivoli i Atit të Shenjtë përcillet në banesën e fundit

26/04/2025 17:37

Të paktën 400,000 vetë morën pjesë në ceremoninë mortore për të përcjellë Papa Françeskun në banesën e fundit. Ndër ta kishte edhe mjaft krerë shtetesh dhe anëtarë familjesh mbretërore.

Vatikani njoftoi se arkivoli i Papa Françeskut u varros në Bazilikën e Shën Mërisë së Madhe në Romë.

“Papa është i pari që prej më shumë se një shekull u varros jashtë Vatikanit. Varrimi i tij ishte një ngjarje private, që u lejoi atyre që ishin më të afërt me të të shprehin respektin e tyre”, njoftoi Vatikani.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, tha për mediat italiane se në ceremoninë mortore për Papa Françeskun zhvilluar në Vatikan dhe në Romë morën pjesë të paktën 400,000 vetë.

Mesha mortore për Papa Françeskun, filloi me një kor që interpretoi ritet përkatëse. Mesha mortore u kryesua nga Giovanni Battista, dekan i Kolegjit të Kardinalëve

Papa dhe testamenti i tij
Papa caktoi vetë me testament vendin se ku do të varroset. Papa nuk do të varroset nën Bazilikën e Shën Pjetrit, si shumë papë para tij, por në bazilikën e Santa Maria Maggiore. Papa Françesku e kishte shënuar këtë në testamentin e tij. Mbi varrin e tij duhet të shkruhet vetëm emri: Franciscus.

Shpenzimet e varrimit u mbuluan nga donacione. Në Bazilikë ka edhe varre të papëve të mëparshëm. Papa i fundit u varros këtu më shumë se 350 vjet më parë.

Papa Françesku, emri i vërtetë i të cilit ishte Jorge Mario Bergoglio, mbajti detyrën më të lartë në Kishën Katolike për më shumë se dymbëdhjetë vjet.

Konklava për zgjedhjen e pasardhësit të tij do të mbahet në maj. Të drejtën e votës e kanë aktualisht 135 kardinalë nën moshën 80-vjeç. “Tymi i bardhë” sinjalizon zgjedhjen e papës së ri. /DW

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta