
1799 pasuri ose prova materiale janë marrë në dorëzim deri në fund të vitit 2024 dhe menaxhohen nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Referuar të dhënave të publikuara në Raportin Vjetor të Agjencisë, pjesa më e madhe e pasurive të sekuestruara ose konfiskuara janë pasuri të paluajtshme. Kështu, sipas kategorizimit, apartamente, ndërtesa, objekte, ose garazhe janë 356 pasuri të sekuestruara dhe 278 të konfiskuara.
Më tej, tokë truall, arë, pyje ose kullota janë 90 pasuri të sekuestruara dhe 105 të konfiskuara. Përsa i përket pasurive të luajtshme, ku përfshihen automjetet, mjetet motorike, detare, ose asete të tjera, janë 125 pasuri të sekuestruara dhe 31 të konfiskuara.
Gjithashtu, AAPSK ka nën administrim një numër të konsiderueshëm subjektesh tregtare, ku 104 prej tyre janë të konfiskuara, në pritje të përfundimit të proceseve gjyqësore dhe 20 janë të sekuestruara. AAPSK administron po ashtu një numër të konsiderueshëm llogarish bankare, ose edhe shuma monetare.
Kështu, janë 385 asete të tilla të sekuestruara dhe 77 të konfiskuara. Më tej, provat materiale nën administrim të AAPSK janë 228. Një numër i konsiderueshëm pasurish dhe provash materiale janë marrë nën administrim nga AAPSK vetëm gjatë vitit 2024, plot 812 të tilla.
Ndërkohë, në shifrat e publikuara në raportin vjetor që bën transparencë të plotë dhe hedh dritë mbi punën e institucionit përgjatë vitit 2024, AAPSK informon se janë 763 pasuri/prova materiale që nuk janë marrë ende në dorëzim nga Agjencia për shkaqe të ndryshme.
Top Channel