Jo më termometra me zhivë! Nuk do të lejohen të përdoren deri në fund të vitit, përmbajnë mërkur

19/04/2025 13:06

Të gjithë kemi një termometër të tillë në shtëpi, por deri në fund të vitit 2025, ato duhet të largohen nga shtëpitë dhe gjithashtu nga qendrat shëndetësore e spitalet, bashkë me matësat e presionit të gjakut, të cilët përmbajnë merkur.

Largimi i këtyre pajisjeve mjekësore me merkur është një detyrim që duhet përmbushur deri në fund të vitit 2025, pasi Shqipëria ka firmosur Konventën e Minamatës, e cila synon pikërisht zëvendësimin e pajisjeve me merkur me alternativa të tjera. Por cilat janë dëmet që shkakton merkuri tek njeriu?

Mërkuri i lëngët avullon lehtësisht, duke u transportuar në distanca të largëta, ku edhe mund të depozitohet. Ai bioakumulohet në zinxhirin ushqimor, veçanërisht në organizmat ujore, duke përbërë problem serioz për sigurinë ushqimore. Por edhe në përqendrime të ulëta, mërkuri përbën rrezik për shëndetin dhe mjedisin.

Zyra e OBSH në Tiranë ka nisur një projekt në ndihmë të qeverisë shqiptare për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Konventa e Minamatës, ku një prej tyre është largimi i pajisjeve mjekësore me merkur.

Top Channel