Irani refuzoi bisedimet për programin bërthamor, Trump kërcënon me tarifa dhe veprime ushtarake

31/03/2025 10:43

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e kërcënoi Iranin me disa masa – nisur nga sanksionet dhe tarifat e reja deri te veprimet ushtarake.

Kjo, pasi presidenti iranian refuzoi mbajtjen e bisedimeve të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor.

“Do të shohim nëse mund të bëjmë diçka. Nëse jo, do të jetë një situatë e keqe”, u tha Trump gazetarëve më 30 mars, derisa fluturonte nga Florida për në Uashington.

“Unë do të preferoja një marrëveshje në vend të alternativës tjetër, që mendoj se të gjithë në këtë aeroplan e dinë se çfarë është. Ajo nuk do të ishte një gjë e bukur”, shtoi ai.

Më herët, Trump paralajmëroi se “nëse nuk bëjnë marrëveshje, do të ketë bombardime dhe do të jenë bombardime që ata nuk i kanë parë kurrë më parë”.

Ai, gjithashtu, tha se është duke shqyrtuar vendosjen e tarifave ndaj vendeve që blejnë naftë nga Irani, si pjesë e strategjisë së tij për “presion maksimal” kundër Teheranit.

Më herët gjatë ditës, presidenti iranian, Masud Pezeshkian, e kundërshtoi publikisht mbajtjen e negociatave të drejtpërdrejta me Uashingtonin për programin e tij bërthamor – gjë që ishte propozuar në një letër që Trump i kishte dërguar Teheranit në fillim të këtij muaji.

“Edhe pse në këtë përgjigje është hedhur poshtë mundësia e negociatave të drejtpërdrejta mes dy palëve, është theksuar se rruga për negociata indirekte mbetet e hapur”, tha Pezeshkian.

Zyrtarë të lartë iranianë edhe më parë kanë folur kundër idesë së mbajtjes së bisedimeve direkte me Shtetet e Bashkuara, por komentet e Pezeshkianit shënojnë refuzimin e parë zyrtar nga Irani.

Në përgjigje, Departamenti amerikan i Shtetit tha se “presidenti Trump ka qenë i qartë: Shtetet e Bashkuara nuk mund ta lejojnë Iranin të ketë armë bërthamore”.

“Presidenti shprehu gatishmërinë e tij për të diskutuar një marrëveshje me Iranin. Nëse regjimi iranian nuk dëshiron marrëveshje, presidenti është i qartë: Ai do të ndjekë opsione të tjera, të cilat do të jenë shumë të këqija për Iranin”, tha ai.

Prej se Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë në janar, administrata e tij ka theksuar vazhdimisht se Irani nuk duhet të lejohet të ketë armë bërthamore, ndërsa ka paralajmëruar se veprimet ushtarake janë po ashtu në tryezë, nëse Irani refuzon idenë e Trumpit.

Irani pohon se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Por, një raport i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, i publikuar në shkurt, nxori në pah se Irani ka përshpejtuar prodhimin e uraniumit, që përdoret për armë. /REL

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - AG SHOW - Bileta