Bashkia e Tiranës është rikthyer në normalitet pasi Anuela Ristani rimori drejtimin e institucionit.
Gjithçka nisi pas një vendimi te dy ditëve më parë të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili kishte nxjerrë një urdhër ku i jepte kompetencat e tij Sara Goxhajt, nënkryetares tjetër të bashkisë. Sot përmes një statusi në rrjetet sociale ai thotë se ridelegimi i kompetencave ishte i gabuar për shkak se kishte menduar që ekipi drejtues ishte dakordësuar më parë.
“U informova që paska plasur peshku në moçalet mediatike për përplasjen time me Ramën, për punë delegimesh. E para njëherë, me Ramën kam vetëm mall të takohem për të folur për punët si gjithmonë dhe asgjë tjetër s’më shkon në mendje.
E dyta, kam firmosur një ridelegim me idenë e gabuar se ishte dakordësuar brenda ekipit drejtues, por kështu është kur “punon” pa informacionin e mjaftueshëm.
E fundit, kërkoni e gërmoni ku të doni tani, se u bë sport ky falë edhe prokurorit tim të dashur, por në marrëdhënien time me Ramën lodheni kot fare fare, se është plazmuar në kohëra të vjetra dhe nuk e ndryshon dot asnjë kohë, sado e mallkuar qoftë. Delegimi është rikthyer aty ku ishte dhe këtu mbyllet edhe keqkuptimi”, shkruan Veliaj.
Top Channel