
15 persona në Korenë e Jugut u plagosën, 2 prej tyre në gjendje të rëndë, pasi avionët luftarakë bombarduan aksidentalisht shtëpitë gjatë një stërvitjeje me zjarr me forcat amerikane.
Sipas Forcave Ajrore të Koresë së Jugut, 8 bomba ‘MK-82’ u hodhën anormalisht nga dy avionë luftarakë KF-16 dhe u ulën jashtë zonës së caktuar të qitjes rreth orës 10:07 të mëngjesit (me kohën lokale), duke goditur infrastrukturën civile në qytetin Pocheon, në verilindje të kryeqytetit Seul.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut tha se gjetjet fillestare treguan se aksidenti ishte shkaktuar nga një pilot që futi koordinatat e gabuara të bombardimeve.
Nga pamjet e publikuara në internet shihet tym që ngrihet në ajër në një zonë rurale.
Ministria e Mbrojtjes tha se trajnimi të enjten lidhej me një stërvitje të përbashkët me forcat amerikane. Forca ajrore kërkoi falje në lidhje me incidentin.
Koreja e Jugut dhe SHBA-ja do të zhvillojnë stërvitje të kombinuara nga 10 deri më 20 mars – të parat që nga kthimi i presidentit amerikan Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë. Kjo vjen në një kohë kur të dy vendet janë gjithnjë e më të kujdesshme ndaj aleancës në rritje midis Koresë së Veriut dhe Rusisë.
Top Channel