Rusia lavdëron Trumpin dhe kritikon Evropën, Lavrov: Slogani i tij është arsyeja e shëndoshë, evropianët duan luftë

02/03/2025 16:26

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka lavdëruar presidentin amerikan, Donald Trump, duke thënë se ai ka “arsye të shëndoshë” sa i përket synimit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, por ka akuzuar fuqitë evropiane, që janë mbledhur rreth Kievit, se po synojnë të prolongojnë konfliktin.

Lavrov tha se Shtetet e Bashkuara ende duan të jenë shteti më i fuqishëm në botë dhe se Uashingtoni e Moska asnjëherë nuk mund të pajtohen për gjithçka, por janë pajtuar që të jenë pragmatik kur i kanë të njëjtë interesat.

“Donald Trumpi është pragmatist”, tha Lavrov për gazetën ushtarake ruse, Krasnaya Zvezda, sipas transkriptit të publikuar nga Ministria e Jashtme ruse. “Slogani i tij është arsyeja e shëndoshë. Kjo nënkupton, siç mund ta shohin të gjithë, një ndryshim të mënyrave se si bëhen gjërat”.

“Por, qëllimi është ende MAGA”, tha Lavrov, duke iu referuar sloganit politik të Trumpit.

Rusia e ka pushtuar Ukrainën më 2022, duke dërguar mijëra trupa në shtetin fqinj dhe duke shkaktuar luftën më të madhe në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Konflikti në lindje të Ukrainës ka nisur më 2014, pasi presidenti pro-rus i Ukrainës u rrëzua nga pushteti përmes protestave dhe Rusia aneksoi Krimenë dhe mbështeti forcat separatiste në luftën kundër forcave ukrainase në lindje të vendit.

Të premten, Trump dhe nënpresidenti i tij, JD Vance u përplasën me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, gjatë takimit të tyre në Shtëpinë e Bardhë. Udhëheqësit evropianë më pas i dolën në mbrojtje Zelenskyt.

Por, Lavrov kritikoi Evropën, duke thënë se në 500 vjetët e fundit Evropa ka qenë vatër “e të gjitha tragjedive në botë”, përfshirë kolonizimin, luftërat, kryqëzatat, Luftën e Krimesë, Napoleon Bonapartin, Luftën e Parë Botërore dhe Adolf Hitlerin.

“Dhe tani, pas Bidenit, njerëzit që erdhën udhëhiqen nga arsyeja e shëndosh. Ata e thonë qartë se duan që të ndalen të gjitha luftërat, ata duan paqe”, tha Lavrov.

“Dhe, kush po kërkon ‘vazhdimin e banketit’ në formë të një lufte? Evropa”, shtoi ai.

Lavrov po ashtu hodhi poshtë idenë evropiane të dërgimit të një kontingjenti paqeruajtësish evropianë dhe tha se Rusia nuk i beson Ukrainës pas rënies së marrëveshjeve të Minskut, që ishin të dizajnuara që t’i jepnin fund luftës separatiste në lindje të Ukrainës./REL

Top Channel

PORTOKALLI Portokalli - Bileta