
Lezha përkujtoi 581-vjetorin e Besëlidhjes së Princave Shqiptarë, ngjarje historike që shënoi bashkimin e principatave shqiptare në luftë kundër Perandorisë Osmane.
Në këtë ceremoni morën pjesë autoritete nga të gjitha trevat shqipfolëse, përfshirë Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe një delegacion të gjerë arbëreshësh nga Italia.
Veprimtaritë nisën me vendosjen e kurorave me lule dhe homazhet pranë vendvarrimit të Gjergj Kastriotit.
Në këtë ditë të rëndësishme për mbarë vendin tonë ne këtë 581 vjetor në Lezhe, u përurua dhe busti i Gjergj Kastriotit i vendosur në sheshin përballë vendvarrimit.
Duke iu referuar 2 marsit të vitit 1444, kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, theksoi se Besëlidhja e Lezhës mbetet një testament i gjallë i bashkimit shqiptar dhe se amaneti i Gjergj Kastriotit vazhdon të jetë një frymëzim edhe sot.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nënvizoi rëndësinë e një qasjeje të përbashkët për të forcuar rolin e shqiptarëve në rajon dhe më gjerë.
Në këtë ngjarje morën pjesë edhe përfaqësues nga trojet shqiptare, përfshirë Genci Nimanbegun, kryetarin e Komunës së Ulqinit, Ali Ahmetin, kryetarin e BDI në Maqedoninë e Veriut, Ardita Sinanin, kryetaren e Komunës së Preshevës, si dhe Ulsi Manjën, ministrin e Drejtësisë të Shqipërisë.
Veprimtaritë vijuan në sheshin “Gjergj Kastrioti”, ku të pranishmit patën mundësinë të vizitonin panairin e artizanatit dhe të ndiqnin një koncert muziko-letrar në nderim të figurës së Heroit Kombëtar.
Top Channel