“Në shesh nis refreni Edi Rama ka mbaru, puna është se ikën mbrëmja, vjen mëngjesi dhe unë jam këtu”, kreu i PS: Algoritmi s’pyet kush ka të drejtë, por kush merr vëmendjen

20/06/2026 13:47

Gjatë fjalimit të tij sot para grupit parlamentar të PS, kryeministri Rama ironizoi thirrjet që bëhen për largimin e tij në protestën për Zvërnecin.

Duke përmendur thirrjen ‘Edi Rama ka mbaru’, kryesocialisti tha: “Aty në shesh nis refreni Edi Rama ka mbaru. Puna është se ikën mbrëmja dhe vjen mëngjesi, aty s’ka njeri se sheshi hapet në mbrëmje, ndërkohë që unë jam këtu, ne jemi këtu.”

“Për t’i dhënë të gjithë kësaj një kuptim atdhetar, një pathos revolucionar, një parafytyrim epik, aty në sheshin televiziv të algoritmit fillon refreni: “Edi Rama ka mbaruar, ka mbaruar, ka mbaruar”. Mirëpo puna është që ikën mbrëmja dhe vjen mëngjesi. Aty s’ka njeri, sepse sheshi i xhirimeve hapet në mbrëmje. Ndërkohë që unë jam këtu, ne jemi këtu. E nesërmja vjen, pastaj vjen një mbrëmje tjetër dhe një e nesërme tjetër. Vitet ikin, profecia vazhdon, sepse edhe po s’u bë e vërtetë, bëhet virale. Dhe ja ku jemi sot”, tha kryeministri.

“Në fund, ç’rëndësi ka nëse një fakt është i lirë të flasë, kur është i rrethuar nga një milion gënjeshtra? Kush dëgjohet më shumë nëse ti je aty i lirë të thuash të vërtetën dhe, ndërkohë, një kor bërtet një gënjeshtër në çdo fjalë që ti thua? Dhe kjo është një situatë e re e kohës sonë, ku fakti dhe gënjeshtra janë thjesht dhe vetëm dy njësi të mënyrës se si funksionon algoritmi, që nuk pyet kush ka të drejtë, por pyet vetëm kush e merr peng më gjatë vëmendjen dhe atij i jep shtysë, tjetrit i ul shpërndarjen”.

Top Channel