Tirana College of Technology zhvilloi Konferencën e Dytë Ndërkombëtare “Innovation for Development II”, një aktivitet që mblodhi akademikë, studiues dhe ekspertë nga Shqipëria dhe te huaj për te diskutuar mbi ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim dhe kërkimin shkencor.
“Ne jemi duke zhvilluar një traditë të vjetër, por sivjet, duke pasur presionin e lartë që jep inteligjenca artificiale në mësimdhënien, e kemi orientuar inovacionin drejt kësaj çështje, drejt arsimit, drejt shkëputjes nga zhvillimet tradicionale të zhvillimit të mësimeve dhe të gjitha punimet shkencore janë përqendruar pikërisht në këtë lloj zhvillimi dhe në këtë lloj realiteti”, u shpreh Gjergj Simaku.
Rektori i Tirana College of Technology, Prof. Dr.-Ing. Andonaq Londo Lamani, vlerësoi përbërjen ndërkombëtare të komitetit shkencor dhe rëndësinë e konferencës për institucionin.
“Komiteti shkencor është i organizuar me profesorë shqiptarë të Kolegjit dhe profesorë nga Universiteti i Barit, Universiteti i Prishtinës, Universiteti i Athinës dhe universitete gjermane. Ky është një aktivitet mjaft i rëndësishëm për kolegjin tonë”, deklaroi ai.
Pjesë e konferencës ishin edhe profesorë dhe studiues ndërkombëtarë, mes tyre Prof. Dr.-Ing. Thomas Carolu nga Universiteti Siegen dhe studiuesi Tashfeen Ahmad nga University of the Ëest Indies, të cilët vlerësuan rëndësinë e inovacionit, teknologjisë dhe bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.
Përmes prezantimeve dhe diskutimeve shkencore, pjesëmarrësit ndanë ide dhe modele inovative që synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e qëndrueshëm dhe përgatitjen e brezave të rinj për sfidat e së ardhmes. Konferenca “Innovation for Development II” konfirmoi edhe një herë rolin e Tirana College of Technology si një qendër e rëndësishme e promovimit të inovacionit dhe bashkëpunimit akademik ndërkombëtar.
Top Channel