Mbi 300 familje në fshatin Kreshpan të Fierit prej vitesh përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Edhe pse paguajnë rregullisht faturat, banorët thonë se nuk marrin shërbimin e nevojshëm.
Situata është përkeqësuar ndjeshëm gjatë dy muajve të fundit, pasi në rubinetat e tyre uji vjen vetëm për pak minuta në ditë, ndërsa në disa familje mungon plotësisht.
Banorët detyrohen të sigurojnë ujin me mjete bujqësore apo kafshë transporti, ndërsa i vetmi burim nga i cili furnizohen po shkon drejt shterimit. Për shumë familje, alternativa e vetme mbetet blerja e ujit nga autobotët privatë.
“Ujë të pijshëm na vjen vetëm 20-30 litra në ditë, për rreth 20 minuta në mëngjes. Tubacionet janë shtruar prej një viti, por ende nuk kemi furnizim normal. Fshati ka rreth 500 banorë dhe të gjithë vuajnë mungesën e ujit. Kam blerë edhe gomar për të transportuar ujë, pasi jemi shtatë veta në familje. Faturat i paguaj rregullisht, por nuk marr asnjë shërbim.
Në lagjen tonë nuk vjen fare ujë. Presim autobotin për t’u furnizuar. Faturat i paguajmë, por ujë nuk kemi. Kërkojmë vetëm ujë të pijshëm. Jam edhe i sëmurë dhe situata është bërë shumë e vështirë”, shprehen banorët.
Në fshat ka nisur prej kohësh një projekt për furnizimin me ujë, por ai ende nuk ka përfunduar. Sipas banorëve, mungon lidhja me stacionin e pompimit, si dhe shtrirja e plotë e rrjetit shpërndarës në të gjitha familjet.
Të gjendur në këto kushte, ndërsa temperaturat vijojnë të rriten nga dita në ditë, banorët e Kreshpanit kërkojnë ndërhyrje urgjente nga Ujësjellësi Rajonal Fier për zgjidhjen e problemit dhe garantimin e furnizimit të rregullt me ujë të pijshëm.
Top Channel