Mungesat në plazhet e Durrësi/ Pushuesit vendas ankohen për infrastrukturën, të huajt janë të kënaqur

20/06/2026 19:45

Plazhet e Durrësit kanë ftuar një numër të lartë pushuesish këtë fundjavë të nxehtë qershori.

Fluksi i pushuesve ka kthyer vëmendjen edhe te ndarja e brezit ranor në hapësira publike dhe private.

Plazhet publike nuk mungojnë, por pushuesit vendas ankohen se në këto zona mungojnë shërbimet bazë, si koshat e mbeturinave, dushet dhe tualetet.

“Nuk janë kushtet. Do të më pëlqente të kishte kosha, tualete publike.”

“Është zero gjithçka dhe unë jam zero. Po themi për mbeturinat se dushet e të tjerat janë larg. Nuk ekzistojnë për shtetin. Vetëm për njerëzit e pushtetshëm.”

“Nuk i përgjigjem dot (plazhit privat) se unë vij dy muaj këtu. Nuk ia dal dot.”

“Zallin e ka më të mirë (privati).”

Krejt ndryshe e shohin realitetin pushuesit e huaj. Për ta, hapësira  e zhveshur nga infrastruktura nuk përbën problem. Të mësuar me konceptin e plazheve natyrale, ata shijojnë plazhin pa e vrarë mendjen për mungesën e çadrave apo të dusheve.

“Është vërtet shumë mirë. Nuk jam e sigurt për dallimin privat apo publik, kështu që na pëlqen këtu. Shtro një peshqir dhe kaq. Koha është e mrekullueshme dhe deti i ngrohtë.”

“Jemi prej një javë këtu. Njerëzit shumë miqësorë, ushqimi, shumë i shijshëm dhe ky plazh është i mrekullueshëm. Uji i ngrohtë dhe nuk ka dallgë të mëdha, kështu që po kalojmë shumë bukur. Jemi në plazhin privat të hotelit, po dhe në publik mirë është.”

Ndërkaq në plazhet private operatorët ofrojnë shërbim kundrejt një pagese nga 500-1500 lekë. Në këtë stinë të nxehtë, bregdeti i Durrësit ofron alternativa për të gjitha shijet dhe buxhetet. Por, ndërsa të huajve u mjafton vetëm rëra dhe deti, pushuesit vendas këmbëngulin se hapësirat publike nuk duhet të lihen në harresë nga pushteti vendor.

Top Channel