SHBA i përgjigjet Iranit për Hormuzin, CENTCOM: Rritet transporti tregtar në Ngushticë, bie pretendimi për mbyllje

20/06/2026 17:39

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara (CENTCOM) ka njoftuar se transporti tregtar përmes Ngushticës së Hormuzit është rritur, duke hedhur poshtë në mënyrë indirekte pretendimet e Iranit se kjo rrugë strategjike detare ishte mbyllur.

Në deklaratën e saj, CENTCOM thekson se lundrimi në këtë korridor ndërkombëtar ka vazhduar normalisht, me 55 anije tregtare që kanë kaluar sot përmes Ngushticës, duke transportuar sasi të mëdha mallrash dhe mbi 17 milionë fuçi nafte drejt tregjeve ndërkombëtare.

Komanda amerikane shton se forcat e Shteteve të Bashkuara mbeten “të pranishme dhe në gatishmëri” për të garantuar sigurinë e lundrimit dhe respektimin e marrëveshjeve përkatëse në rajon.

Njoftimi i CENTCOM erdhi menjëherë pas deklaratave të Iranit, i cili pretendoi mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, duke e justifikuar këtë me atë që e cilëson si “veprime kriminale” të Izraelit në Liban dhe shkelje të armëpushimeve nga Shtetet e Bashkuara.

Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më strategjike të energjisë në botë, pasi përmes saj kalon një pjesë e madhe e eksporteve globale të naftës, duke e bërë çdo tension në zonë me ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.

Top Channel