
Teksa paralajmëroi në takimin e parë të kabinetit të presidentit Donald Trump se do të ketë pasoja të rënda financiare nëse masat e tij për uljen e kostove dështojnë, Elon Musku pohoi gjithashtu se ka marrë kërcënime të shumta me vdekje.
Miliarderi u shfaq në takim me një kapelë të zezë “Make America Great Again”.
Musk e përshkroi rolin e tij si “mbështetje teknologjike” për qeverinë federale si kreu i Departamentit të sapokrijuar të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE).
“Ne si vend, thjesht nuk mund të mbajmë barrën e një deficiti prej 2 trilion dollarësh. Pagesat e interesit për borxhin kombëtar aktualisht i kapërcejnë shpenzimet vjetore të mbrojtjes. Nëse kjo vazhdon, vendi de facto shkon drejt falimentimit. Kjo është arsyeja që unë jam këtu dhe marr shumë kërcënime me vdekje, meqë ra fjala”, tha Musk.
Trump e lejoi Musk të dominonte pjesën më të madhe të takimit dhe vlerësoi punën e tij, duke thënë se ekipi i vet kishte zbuluar “gjëra të tmerrshme” brenda qeverisë.
“Ai po sakrifikon shumë”, u shpreh Trump, duke iu referuar kohës së Musk larg sipërmarrjeve të tij të shumta të biznesit. Masat e ashpra të manjatit për uljen e kostove kanë ngjallur polemika të shumta.
Gjatë fundjavës, punonjësit federalë morën një email nga Zyra e Menaxhimit të Personelit, që i udhëzonte të dorëzonin raporte të detajuara të punës së tyre.
Top Channel