“I pasinqertë kur flet për armëpushimin”/ Ministri i jashtëm rus kritikon Macron, Lavrov: Kryesore është të shkatërrohen rrënjët e konfliktit

26/02/2025 18:41

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov kritikoi presidentin francez, Emmanuel Macron, dhe kërkoi të vendoset një “frenim” mbi shtetet evropiane që kërkojnë të vendosin forca paqeruajtëse në Ukrainë.

Rusia nuk po e shqyrton opsionin për vendosjen e forcave paqeruajtëse evropiane në Ukrainë, tha ministri i Jashtëm Sergei Lavrov në një konferencë për shtyp pas bisedimeve në Doha.

“Jo, nuk mund ta konsiderojmë këtë opsion. Bisedat për forca paqeruajtëse janë boshe. Gjëja kryesore është të shkatërrohen rrënjët dhe shkaqet e konfliktit. Nuk ka mungesë të forcave paqeruajtëse,” tha ai, duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e vendosjes së forcave paqeruajtëse në vendin fqinj, sipas agjencisë ruse të lajmeve RIA Novosti.

Kreu i diplomacisë ruse tha se qasja e Francës dhe Britanisë së Madhe synon përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit dhe shtypjen e çdo përpjekjeje për ta qetësuar atë.

Në këtë kontekst, ai e cilësoi Macronin si të pasinqertë kur foli për një armëpushim urgjent, i cili supozohej të pasohej nga një diskutim i çështjeve territoriale dhe parimeve të tjera të zgjidhjes së konfliktit.

Presidenti amerikan Donald Trump tha sot se beson se është e nevojshme të ketë forca paqeruajtëse në Ukrainë në një formë ose në një tjetër. Njëkohësisht ai ka sqaruar se misioni do të duhej të ishte i pranueshëm për të gjitha palët.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA