“Dallga” e nacionalizmit: Çfarë i ndodh Europës nëse Franca e Spanja shkojnë djathtas

06/10/2026 18:26

Institucionet e BE-së dhe kryeqytetet europiane shpresonin ta mbyllnin vitin pa tronditje elektorale, për t’u përqendruar te dosjet më të rëndësishme, duke nisur me negociatat për buxhetin e ardhshëm të Bashkimit Europian për periudhën 2028-2034.

Zgjedhjet e parakohshme të shpallura nga kryeministri spanjoll Pedro Sánchez i përmbysin këto plane dhe e afrojnë pasigurinë që Brukseli e priste për vitin e ardhshëm, kur në zgjedhje do të shkojnë Franca, Polonia dhe Italia, së bashku me disa vende të tjera të BE-së.

Një zhvendosje djathtas në Madrid dhe Paris, veçanërisht drejt së djathtës ekstreme, mund të ketë pasoja të rëndësishme për projektin europian, shkruan Corriere della Sera.

Sanchez në të kaluarën ka qenë i aftë për rikthime të mëdha. Por nëse ai do t`i humbiste zgjedhjet, theksohet në artikull, kjo do të nënkuptonte se në tryezën e Këshillit Europian nuk do të kishte më një lider socialist nga një prej vendeve të mëdha të unionit.

“Nëse Spanja bie, merr fund një nga përvojat e fundit të qeverisjes së qendrës së majtë në Europë. Nëse në vitin 2027 do të pasohej nga Franca, boshti franko-spanjoll, kundërpesha progresiste ndaj boshtit konservator Berlin-Romë-Varshavë, do të zhdukej”, thotë Alberto Alemanno, profesor i së drejtës së BE-së.

Për Nathalie Tocci, profesoreshë në Johns Hopkins University, Spanja dhe Franca duhen parë brenda një skenari më të gjerë. “Rreziku është kalimi nga një projekt integrimi europian në një projekt bashkëpunimi: drejtimi i BE-së do të ndryshonte”, mendon ajo.

Pasojat sakaq do të ishin edhe ekonomike. Pasiguria, nënvizojnë ekspertët, e ka një kosto, e kjo po shihet tashmë tek euro, e cila një ditë më parë preku nivelin më të ulët që nga maji i vitit 2025.

Top Channel