
Dr. Shireen ka paralajmëruar se një kollë e vazhdueshme për më shumë se tre javë nuk duhet të neglizhohet.
Edhe pse simptomat e ftohjes, si rrjedhja e hundëve, teshtitja dhe kollitja, janë të zakonshme gjatë muajve të ftohtë, është e rëndësishme të vëzhgoni sa kohë zgjasin. Sipas doktoreshës një kollë e tillë mund të jetë shenjë e problemeve të ndryshme shëndetësore. Ajo shpjegon se shkaqet e një kolle të zgjatur mund të jenë astma, refluksi acid ose infeksionet e traktit respirator, por është e rëndësishme të përjashtohen sëmundje më serioze si kanceri i mushkërive.
Kur një pacient paraqitet me një kollë që zgjat mbi tre javë, mjekët zakonisht kryejnë një ekzaminim dhe rekomandojnë një radiografi të kraharorit për të vlerësuar mushkëritë. Kjo është një procedurë e thjeshtë dhe e shpejtë që ndihmon në identifikimin e ndonjë problemi serioz shëndetësor.
Sipas Klinikës Mayo, një kollë që nuk largohet për disa javë ose që shoqërohet me sekrecione të gjakosura apo të ngjyrosura, mund të sinjalizojë një gjendje shëndetësore që kërkon vëmendje mjekësore. Po ashtu, NHS rekomandon që personat që përjetojnë humbje të pashpjegueshme në peshë ose kanë sistem imunitar të dobësuar për shkak të kimioterapisë apo diabetit, duhet të konsultohen me mjekun.
Dr. Malathy Munisamy thekson se shumica e kollave “standarde” zakonisht kalojnë vetë brenda disa javësh dhe nuk janë shqetësuese. Nëse kolla vjen si rezultat i një ftohjeje apo gripi, trajtime si pushimi, hidratimi dhe ilaçet kundër dhimbjeve, si paracetamoli ose ibuprofeni, ndihmojnë në lehtësimin e simptomave. Ndërkohë, Klinika Cleveland thekson se edhe pse kollitja në shumicën e rasteve nuk është shqetësuese, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë mjekësore nëse shoqërohet me simptoma të tjera si vështirësi në frymëmarrje, temperaturë të lartë, probleme me të ngrënit apo fjetjen, ose sekrecione me gjak. Në rastin e fëmijëve të vegjël, prindërit duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm dhe të konsultohen me një mjek nëse kolla duket e fortë ose e pazakontë./TAR
Top Channel