
Tenistja Emma Raducanu, me lot në sy, u detyrua të fshihej pas karriges së arbitres në Dubai Open pasi vuri re një burrë në tribunë, i cili më parë kishte shfaqur “sjellje obsesive” ndaj saj.
Ndeshja e Raducanu-t, e cila ishte shtyrë për shkak të shiut, kundër Karolina Muchova-s vetëm sa kishte nisur, kur 22-vjeçarja iu afrua arbitres së ndeshjes, gjermanes Miriam Bley, duke shfaqur qartë shqetësim.
Ajo duket se i tha disa fjalë të shkurtra arbitres përpara se të shkonte pas karriges së saj, ku u ngushëllua nga kundërshtarja çeke, ndërsa Bley thirri zyrtarët e turneut për t’i informuar mbi situatën.
WTA, organi drejtues i tenisit për femra, lëshoi një deklaratë duke bërë të ditur se tifozi obsesiv u largua nga tribuna dhe do t’i ndalohet pjesëmarrja në eventet e ardhshme të WTA-së, deri në përfundimin e hetimeve mbi rrethanat e incidentit.
“Më 17 shkurt, një burrë iu afrua Emma Raducanu në një hapësirë publike dhe shfaqi sjellje obsesive”, thuhet në deklaratë.
“I njëjti person u identifikua në rreshtat e parë gjatë ndeshjes së Emmës të martën në Dubai Duty Free Tennis Championships dhe më pas u dëbua. Ai do të ndalohet nga të gjitha eventet e WTA-së deri në përfundimin e një vlerësimi të kërcënimit. Siguria e lojtarëve është prioriteti ynë kryesor, dhe turnetë këshillohen mbi praktikat më të mira të sigurisë për eventet sportive ndërkombëtare. WTA po punon në mënyrë aktive me Emmën dhe ekipin e saj për të siguruar mirëqenien e saj dhe për t’i ofruar çdo mbështetje të nevojshme. Ne mbetemi të përkushtuar për të bashkëpunuar me turnetë dhe ekipet e tyre të sigurisë në mbarë botën për të ruajtur një mjedis të sigurt për të gjithë lojtarët“.
Ndërsa ende nuk janë zbuluar detaje mbi identitetin e burrit të përfshirë në incidentin më të fundit, kuptohet se nuk ka asnjë lidhje midis kësaj ngjarjeje dhe një rasti të mëparshëm që përfshinte një 35 vjeccar nga veriperëndimi i Londrës, i cili në shkurt 2022 u dënua me një urdhër ndalimi pesëvjeçar pasi vizitoi në mënyrë të përsëritur shtëpinë e Raducanu-t.
Pas atij episodi, Raducanu deklaroi se veprimet e Amrit Magar, i cili qëndronte pranë shtëpisë së saj, linte dhurata dhe letra të padëshiruara dhe vodhi sende nga veranda, e kishin bërë të ndihej e pasigurt në shtëpinë e saj.
“Që kur ndodhi e gjithë kjo, jam ndier e frikësuar”, kishte thënë Raducanu në një deklaratë në atë kohë.
“Ndjehem shumë e pasigurt kur dal jashtë, veçanërisht kur jam vetëm. Për këtë arsye, ndjej sikur më është marrë liria. Vazhdimisht shikoj pas shpatullave. Ndihem e shqetësuar dhe e trembur se kjo mund të ndodhë përsëri”, vijoi ai.
Ndeshja e parë e Raducanu-t me Muchova-n, një ish-finaliste e French Open dhe dikur e renditur deri në vendin e tetë në botë, fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në fushën një të Dubai Aviation Club Tennis Centre. Megjithatë, moti i keq detyroi zhvendosjen e saj në fushën dy.
Kjo fushë ndodhet midis dy të tjerave, me spektatorët të ulur pas vijave fundore dhe jo anash fushës. Kjo do të thotë se Raducanu, e cila më pas humbi me rezultatin 7-6 (8-6), 6-4, ose do ta kishte burrin përballë në njërin skaj të fushës, ose do të ishte e vetëdijshme për praninë e tij pas saj.
Humbja e Raducanu-t në raundin e dytë ndaj Muchova-s erdhi në një moment kur ajo synonte të ndërtonte një ecuri të suksesshme gjatë turneve në Lindjen e Mesme, pas dy eliminimeve të hershme në raundin e parë.
Ajo mori një ftesë të veçantë (wild card) për të marrë pjesë në Abu Dhabi Open dhe Qatar Open, por u eliminua në dy sete radhazi nga ish-kampionia e Wimbledon-it, Marketa Vondroušová, dhe kundërshtarja e saj nga Australian Open, Ekaterina Alexandrova.
Top Channel