Hamasi është gati të ndalojë sundimin në Gaza pas luftës me Izraelin, në një deklaratë që përkoi me përpjekjet e udhëhequra nga SHBA për të zgjatur armëpushimin dhe për të rënë dakord për kushtet për një fund të përhershëm të armiqësive.

“Nuk është e nevojshme që Hamasi të jetë pjesë e jetës politike dhe administrative në të ardhmen e Gazës, veçanërisht nëse kjo u shërben interesave të popullit tonë”, tha zëdhënësi i Hamasit Hazem Qassem.

Vendimi plotëson një nga kërkesat e Izraelit, gjë që do të lejonte që faza e dytë e armëpushimit të fillojë pasi të përfundojë aktualja në fillim të muajit të ardhshëm. Megjithatë, një kërkesë tjetër e Izraelit është që Hamasi të çarmatoset, kusht që grupi terrorist i mbështetur nga Irani nuk ka treguar shenja përmbushjeje.

Disa analistë izraelitë kanë paralajmëruar nëse Hamasit do i lejohet të vazhdojë të veprojë si një forcë ushtarake jashtë qeverisë do t’i mundësonte grupit të “kopjojë” rolin e luajtur nga Hezbollahu në Liban, i cili ka ndikim të rëndësishëm në vend si ushtarakisht ashtu edhe politikisht, pavarësisht se nuk është zyrtarisht në udhëheqje. Sulmi i Izraelit ndaj Hezbollahut në fund të vitit të kaluar ndihmoi në hapjen e rrugës që Libani të emëronte presidentin e tij të parë që nga viti 2022.

Propozimi i presidentit amerikan, Donald Trump për të dërguar shumicën e banorëve të Gazës jashtë vendit për t’i hapur rrugën rindërtimit në rajonin e shkatërruar nga lufta është hedhur poshtë nga palestinezët dhe është kritikuar nga shumë liderë të Lindjes së Mesme.

“Ne nuk jemi të lidhur me pushtetin. Fillimi i rindërtimit nuk varet nga fakti se Hamasi do të jetë pjesë e këtyre vendimeve”, tha zëdhënësi i Hamasit.

Me arritjen e fundit të armëpushimit fillestar gjashtë-javor midis Izraelit dhe Hamasit, i dërguari i SHBA-së për Lindjen e Mesme Steve Witkoff shprehu optimizëm të dielën se faza e dytë e bisedimeve, e ndërmjetësuar nga Katari dhe Egjipti, do fillojë pa probleme. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të mbledhë kabinetin e tij të sigurisë për të dhënë udhëzime për çdo përparim në negociata.

Në një deklaratë të tij të dielën, Netanyahu tha se “Izraeli do të shkatërrojë aftësitë ushtarake dhe qeveritare të Hamasit”, ndërkohë Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio e quajti Hamasin një “pengesë” për çdo marrëveshje të ardhshme paqeje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA