![](https://top-channel.tv/wp-content/uploads/2025/02/2e2204a5-0353-47e6-98ac-9d4b2f09571c_sd-800x450.jpg)
Shqipëria iu bashkua një deklarate ndërkombëtare të 79 shteteve ku shprehet mbështetja për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, pas vendimit të Donald Trump i cili urdhëroi sanksione kundër punonjësve të kësaj gjykate.
Deklarata e përbashkët erdhi disa orë pasi Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për sanksione financiare dhe kufizime vizash kundër stafit të Gjykatës së Hagës dhe anëtarëve të familjeve të tyre, duke pretenduar se gjykata ka shënjestruar në mënyrë të padrejtë SHBA-në dhe Izraelin.
“Ne, Shtete Palë të Statutit të Romës për Gjykatën Ndërkombëtare Penale, rikonfirmojmë mbështetjen tonë të plotë për pavarësinë, paanësinë dhe integritetin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale,” shkruhet në deklaratë. “Gjykata shërben si një shtyllë jetësore për sistemin ndërkombëtar të drejtësisë dhe garanton llogaridhënie për krimet më të rënda ndërkombëtare si dhe drejtësi për viktimat,” shkruhet në deklaratën e përbashkët.
“Sot, gjykata po përballet me sfida të paprecedent,” shkruhet në letër. “Masat sanksionuese ndaj gjykatës, zyrtarëve dhe stafit apo atyre që bashkëpunojnë me të janë miratuar në përgjigje të veprimeve me të cilat gjykata ka vënë në zbatim mandatin e vet në përputhje me statutin e Romës,” thuhet më tej në deklaratë.
Presidenti Trump firmosi një urdhër ekzekutiv më 6 shkurt pasi një përpjekje për të miratuar një ligj në kongres u bllokua nga demokratët, për të vendosur nën sanksione, të cilat në Shqipëri njihen gjerësisht si “nongrata”, punonjësit e Gjykatës Ndërkombëtare Penale të cilët kanë hetuar në çështjet që përfshijnë shtetas amerikanë apo aleatë, në rastin konkret, kryeministrin e Izraelit Benjamin Netanjahu dhe ministrin e tij të mbrojtjes Yoav Gallant.
Të dy u shpallën në kërkim nga gjykata nën akuzën e krimeve kundër njerëzimit të bëra në Luftën e Gazës. Nën akuzë u vu edhe shefi i Hamas Ibrahim Al-Masri, i cili ndërkohë rezulton se është vrarë gjatë luftimeve nga Izraeli.
Gjykata u themelua në vitin 2002 dhe mes 125 shteteve, palë është edhe Shqipëria.
Top Channel