Vota e diasporës/ “Vetëm një emigrant demokrat kishte regjistruar 500 persona”, Berisha thirrje mbështetësve: Duhet të ndjekim të gjithë shembullin e tij

14/01/2025 19:12

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi një mbledhje me të zgjedhurit vendorë, kryetarët e Bashkive dhe këshilltarë bashkiak të PD.

Berisha u ndal te vota e diasporës, ku tha se vetëm një emigrant demokrat kishte regjistruar 500 persona. Marrë shkas nga kjo, kryedemokrati bëri thirrje që të ndiqej ky shembull edhe nga refugjatët e tjerë.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Ju jeni qeveritarët e PD, parlamentarët vendorë të saj.

Në këtë fazë që jemi, pra krahas angazhimit tuaj për programin, detyra juaj është të regjistroni të gjithë problematikat lokale në mënyrë që ato të gjejnë pasqyrim në programin ekonomik, social të PD-së. Detyra juaj është, lupën mbi këta hajdutë që nuk kanë të ndalur.

Iku Gjushi, ishte lule Gjushi sa vjedh ky Sako. Është si motër siameze me Veliajn. Apo Beneti, Pjerini apo ky i Elbasanit, apo ai Peleshi i Korçës. Pra, kudo.

Sot po hynte dhe dilte ajo e Lushnjes. Këta janë një bandë hajdutësh. Prandaj ju me lupë të gjithë veprimtarinë e tyre.

Koha është e ngushtë, 4 muaj janë, as 4 muaj nuk janë tamam. Këto zgjedhje kanë një risi të madhe. Vota e emigracionit dhe diasporës. A na ka gjetur të përgatitur kjo? Jo, nuk mund të themi se nuk kemi praktikë.
Por a është kjo një zhvillim historik? Po, është kjo sepse këtë vit e tutje mbi 1.5 milionë shqiptarë do ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar në vendin e tyre, sidomos për ne, që jemi parti e lirive dhe të drejtave të njeriut.

Tani, ky është një problem shumë më i madh sa mund ta imagjinojnë me, sepse përballë konstituencës kombëtare në Shqipëri që është 28 mijë km katrorë, është planeti. Shqiptarë në të katër anët e tij. Shqiptarë kudo.
Vetëm me angazhimin e secilit prej jush, e çdo drejtuesi, e çdo deputeti, e çdo këshilltari, e çdo demokrati dhe demokrateje, ne mund të arrijmë ta shndërrojmë votën e emigracionit dhe diasporës në Levën e Arkimedit për fitoren e opozitës.

Nuk i duan këta, ata kanë ikur nga Edi Rama, ata kanë ikur nga vjedhjet e tyre, ata kanë ikur nga mospasja shumica e tyre.

Ja ku e kam këtu grafikun e tyre, i cili fakton se nga viti 2007 deri në vitin 2014, popullata në Shqipëri u rrit nga viti në vit. Nga viti 2009-2012, u rikthen në Shqipëri 180 mijë familje emigrantësh dhe emigrantët erdhën të votojnë.

Pra, ne këtë zbrazje të madhe që i ka bërë Shqipërisë me vjedhjen, ne do e ndalojmë, do e stopojmë. Po kjo kërkon kontributin e të gjithë këtyre që janë larguar, votën e tyre. Dhe ata do mund të marrin pjesë në qoftë se ne i ndihmojmë, orientojmë, kontaktojmë, flasim me ta.

Tani, që të jem konkret me ju, mbrëmë një deputete e jona, Elda Hoti më dërgoi regjistrimin që një demokrat i familjes së saj kishte bërë në Kanada. Sa thoni ju? 500 emigrantë. Këtij demokrati i shpreh mirënjohjen më të pakufishme, ama 500 emigrantë i kishte dorëzuar me listë. Një njeri ishte.

Si i kishte regjistruar? Ai ishte përkushtuar me të gjithë ata që njihte, një zinxhir.

Tani, në qoftë se ne nuk ndjekim shembullin e këtij demokrati, ne nuk i përgjigjemi detyrës që kemi. Në çdo betejë, nuk ka gjë më të pazëvendësueshme dhe të rëndësishme se shembulli personal.
Edhe ju duhet të udhëhiqni me shembullin personal. Prandaj këtu bashkë do caktojmë një numër që do marrim për çdo këshilltar, i cili mjafton të mbyllë sytë dhe u them që në 98 përqind të rasteve ka rrezik të ketë më shumë jashtë se brenda nga njerëzit e tij.

Por, çfarë faktoi fushata e Donald Trump? Fushata faktoi se kjo ishte një nga levat kryesore të fitores. makineria elektorale e presidentit Trump u bazua pikërisht në trungun familjar të secilit.
Pra, detyra jote është që të bësh kontrollin e drurit familjar dhe t’i bindësh ata që të votojnë. Në fakt i funksionoi shumë mirë se ka shumë mënyra përballje të tërheqjes në votim, por kjo mënyrë u faktua eficente. Atyre kjo u funksionoi.

Prandaj edhe ne, duke ndjekur procesin, duhet ta shndërrojmë këtë mënyrë në mënyrën kryesore të fushatës.
Me laps dhe letër, të gjithë xhinsin tonë familjar, me krushqi, me akraba, me çfarë kemi e çfarë nuk kemi dhe do e shihni ju si do i shumojmë votat ne.

Ndaj dhe ku janë dhe ku nuk janë shqiptarët, nga Afrika e Jugut, Zelanda e Re, në Kepin e Veriut, ne do bëjmë gjithçka që t’i regjistrojmë dhe mund t’i regjistrojmë.

Bëjmë një mision, i ndihmojmë të gëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese, por i bëjmë bashkëautorë në një rotacion me rëndësi historike për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Është radha jonë, është radha jonë, është radha jonë!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA