VIDEO/ Avioni merr flakë teksa rrëshqet në pistë, pasagjerët filmojnë momentet e tmerrit në Kanada: Duhet të dalim jashtë!

30/12/2024 07:52

Pasagjerët përjetuan momente tmerri në aeroportin kanadez pasi një aeroplan pati probleme në ulje dhe u përfshi nga flakët teksa rrëshqiti në pistë. Fatmirësisht janë raportuar vetëm lëndime të lehta.

Aeroporti Ndërkombëtar Halifax Stanfield u mbyll të shtunën mbrëma për shkak se një fluturim i Air Canada nga St. Johns mori flakë kur rrotat e tij nuk u vendosën siç duhet gjatë uljes, raportoi CBC .

“Duhet të dalim jashtë”, dëgjohen të thonë në videon e publikuar në Daily Mail.

Një pasagjere e fluturimit 2259 të Air Canada e përshkroi ngjarjen e tmerrshme.

Nikki Valentine tha për CBC: Aeroplani filloi të ulet në një kënd rreth 20 gradë në të majtë dhe ne dëgjuam një zhurmë mjaft të fortë – që pothuajse dukej si një tingull përplasjeje – ndërsa krahu i avionit filloi të rrëshqiste përgjatë trotuarit, së bashku me atë që unë supozoj se ishte motori. Aeroplani u drodh shumë dhe ne filluam të shohim zjarr në anën e majtë të avionit dhe tym filloi të dilte në dritare.

Pasi avioni ndaloi, Valentini tha se u deshën rreth dy minuta që të gjithë të zbrisnin nga avioni – i cili u përfshi pjesërisht nga flakët në atë pikë. Pasagjerët shkuan në një autobus pasi dolën nga avioni.

Pamjet tronditëse tregojnë aeroplanin në zjarr teksa një nga krahët e tij zvarritet në pistë, duke krijuar një tingull të fortë ulëritës.

“Njëra anë e të gjithë aeroplanit ishte në zjarr, kështu që të gjithë ishin me nxitim për të zbritur, por një nxitim i organizuar”, tha ajo për CBC.

Zëdhënësi i Air Canada, Peter Fitzpatrick, tha për Toronto Star se fluturimi dyshohet se kishte një problem me pajisjen e uljes’, por asnjë nga 73 pasagjerët nuk pati dëmtime serioze.

Një zëdhënës i Policisë Mbretërore Kanadeze (RCMP), e cila u përgjigj në vendngjarje tha se u raportuan lëndime të lehta.

Një nga pistat e aeroportit është rihapur që nga aksidenti, ndërsa ngjarja po hetohet për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur saktësisht.

Mosfunksionimi i avionit të Air Canada erdhi vetëm disa orë pasi një aeroplan pasagjerësh i Koresë së Jugut rrëshqiti në pistë dhe u përplas me një mur betoni, duke vrarë të paktën 177 persona.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA