Rrëfimet e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovën janë përjetësuar me muzeun që u lansua të martën në Prishtinë.
Krahas rrëfimeve, artefaktet do të flasin përjetësisht fuqishëm për përjetimet e tyre në muzeun “Çast” që synon nderimin për guximin e të mbijetuarve.
Kuratorja Eliza Hoxha thotë se muzeu projekton momentin kur jeta kishte ndryshuar për të mbijetuarit e dhunës seksuale.
“Ky muze i vogël ju fton nga momenti që ua ka ndryshuar jetën të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, sjellë disa nga artefaktet dhe gjësendet e tyre që i asociojnë në atë moment ose që i kanë pasur veshur ose i kanë pas me vete në atë moment”, tha Hoxha.
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga që drejton fondacionin ideator të këtij muzeu tha se ky projekt është dëshmi e përjetimeve të një shoqërie që për shumë kohë ishte lënë në harresë.
“Kjo hapësirë është më shumë se një muze është një amanet që ne lëmë brezave që vinë pas nesh. Përfaqëson sakrificën, guximin dhe qëndresën e një grupi njerëzisht, trupat e të cilëve u shndërruan në fushëbetejë”, u shpreh Atifete Jahjaga.
Ambasada Gjermane në Kosovë financoi projektin e muzeut që sipas ambasadorit Jorn Rohde shërben si hap drejt përballjes me të kaluarën.
“Ne duhet të flasim për krimet e luftës që kanë ndodhur këtu, duhet t’u japim zë të gjithë të mbijetuarve si dhe duhet të sigurohemi që kryesit vihen para drejtësisë”, tha Jorn Rohde.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Ceku u shpreh se me muzeun “Çast”, Kosova dhe shoqëria bëjnë një hap përpara për dokumentimin e krimeve të luftës në angazhimin për drejtësi.
Top Channel