Exclusive në Top Channell solli këtë herë në vëmendje shoqërinë e ngushtë në kohën e komunizmit të Spartak Ngjelës, Vera Bekteshit, Vladimir Shehut dhe Agim Myftiut.
Shoqëria e tyre e kundërshtonte regjimin komunist, megjithëse prindërit ishin me pozicione të larta drejtuese në kabinetin e Enver Hoxhës.
Ata treguan se si Blloku ishte vendi më i kontrolluar nga ushtarët, kjo për shkak të frikës që kishin nga atentatit.
Spartak Ngjela: Blloku ishte i izoluar sepse ata ruheshin. Vetë blloku ishte krijuar sepse ata kishin frikë nga atentatet. Nuk e kishin të tyren. Kështu e kishte Moska dhe gjithë lindja, që krerët rrinin në një lagje të veçantë që ruheshin nga ushtarë. Jeta e brendshme ishte e vdekur, por të rinjtë dilnin në Tiranë dhe nuk e vrisnin mendjen, kot ruheshin. Kot e kishin frikën.
Vera Bekteshi: Blloku ishte një Big Brother më shumë se kudo në Shqipëri. Diktatura dihet që kanë paranojën, sepse duke lënduar shumë njerëz kanë krijuar shumë armiq. Asaj do t’i ruhen kësaj gjëje, për këtë do të ruheshin. Përdorën edhe ne mekanizmat tona mbrojtës, për të njohur të ngjashmit e tu.
Në Bllok, aty ku jam rritur, kisha shoqëri që e kam edhe sot. Por me ato nuk do të bëja kurrë ato biseda që bëja me shokët e mi. Dallohej edhe në biseda më të vogla marrëdhënia që kishin me regjimin, përfshirë ata që kundërshtonin. Ne ishim 4, Vladimir Shehu djali i kryeministrit, Agim Myftiu djali i zv-kryeministrit, Spartak Ngjela djali i ministrit të tregtisë dhe unë që e kisha babanë në nivel më të ulët pushtetari.
Spartak Ngjela është djali i Kiçi Ngjelës, asokohe me post drejtues si ish-ministër i Tregtisë. Vera Bekteshi vajza e Sadik Bekteshit, në kohën e diktaturës me pozicione të larta në Ushtrinë Shqiptare dhe i dënuar me grupin e gjeneralëve të ushtrisë në vitet ’70. Vladimir Shehu, djali i ish-kryeministrit Mehmet Shehu, Vladimiri u vetëvra në rrethana të paqarta ditë pasi u gjet i vrarë Mehmet Shehu. Agim Myftiu, djali i ish-zv.kryeministrit të regjimit, Manush Myftiu.
Top Channel