“Shi me baltë”, përmbledhja me poezi e Mero Bazes! Mesazhi i autorit: S’mund të bësh gazetari duke injoruar letërsinë

12/11/2024 12:42

Shi me baltë bie rrugëve të Tiranës, një shi si ndëshkim nga lart, për njerëzit që prej kohësh e prisnin, të laheshin nga kjo baltosje e gjatë…

Gazetari dhe publicisti Mero Baze sjell për lexuesin një përmbledhje poezish, me krijime nga realiteti shqiptar i pas viteve ’90.

“Simbolika është gjithë kjo balta e pas ’90 mbi njerëzit me vlera, mbi çdo gjë të shoqërisë, në mohimin e gjithçkaje që kemi bërë me këtë vend. Është një nga dramat e shoqërisë dhe e përfaqëson librin”, shprehet Mero Baze.

Vëllimi me poezi ndahet në katër cikle, duke nisur nga malli për vendlindjen, te cikli i dytë që u jep zë njerëzve të thjeshtë, më pas me disa poezi homazh, ku autori është më i ashpër dhe kritik dhe deri në ciklin e katërt ku si kurrë më parë, Baze vjen me poezi dashurie.

“Ato janë përjetime poetike, nuk janë poezi të prodhuara nga meditimi. Ky libër është shkruar në kohë të ndryshme jo për t’u botuar, thjesht si pjesë e pasionit tim”, shton publicisti.

Me pasionin për letërsinë dhe përkushtimin për gazetarinë prej 3 dekadash, Mero Baze i sheh këto profesione të pandara nga njëra-tjetra dhe evidenton një problem.

“Problemi që unë shikoj janë gazetarët që nuk lexojnë. E konsiderojnë gazetarinë zanat teknik. Nuk mund të punosh në një profesion, baza e të cilit është të shkruarit dhe të injorosh letërsinë, të mos lexosh. Dhe e kundërta është e rëndësishme, shkrimtarët që injorojnë gazetarinë janë shkrimtarë të dështuar. Në gazetari, unë jam më i kufizuar se në letërsi. Njerëzit që unë i fal në gazetari, nuk i fal në letërsi “, përfundon ai.

Pas promovimit mes miqsh e kolegësh, Shi me Baltë, botim i UET Press, do të paraqitet për lexuesin në Panairin e Librit, që rikthehet në 13 nëntor.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA