Prokurori i posaçëm Jack Smith po peshon alternativat e mundshme për mbylljen e dy çështjeve federale kundër presidentit të zgjedhur Donald Trump përpara se ai të marrë detyrën, duke pasur parasysh praktikën e Departamentit të Drejtësisë sipas së cilës presidentët në detyrë nuk mund të ndiqen penalisht, tha të mërkurën një person me dijeni për këtë çështje.
Zoti Smith akuzoi zotin Trump vitin e kaluar për komplot për të përmbysur rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020 dhe për marrje të paligjshme të dokumenteve të klasifikuara në Mar-a-Lago. Por fitorja e zotit Trump ndaj Kamala Harrisit do të thotë se Departamenti i Drejtësisë beson se ai nuk mund të përballet më me ndjekje penale, në përputhje me opinionet ligjore të Departamentit që synojnë të mbrojnë presidentët nga akuzat penale gjatë kohës që janë në detyrë.
Personi në dijeni të planeve të Prokurorit Smith nuk ishte i autorizuar të diskutonte çështjen dhe foli në kushte anonimiteti për agjencinë Associated Press. Duke ndërmarrë hapa për t’u dhënë fund çështjeve përpara inaugurimit në janar, zoti Smith dhe Departamenti i Drejtësisë synojnë të shmangin një përplasje të mundshme me zotin Trump.
Presidenti i zgjedhur tha muajin e kaluar se do ta shkarkonte zotin Smith, i cili u emërua në nëntor 2022 nga Prokurori i Përgjithshëm Merrick Garland, “brenda dy sekondave” pasi të merrte detyrën.
Çështja e dokumenteve të klasifikuara është bllokuar që nga korriku, kur një gjyqtare e emëruar nga zoti Trump, Aileen Cannon, e hodhi poshtë atë me arsyetimin se zoti Smith ishte emëruar në mënyrë të paligjshme. Prokurori Smith e ka apeluar vendimin e saj në Gjykatën e 11-të të Apelit të Qarkut të Atlantës, ku kërkesa është në pritje.
Lidhur me çështjen e ndërhyrjes në zgjedhjet e vitit 2020, zoti Trump ishte planifikuar të dilte në gjyq në mars në Uashington, ku më shumë se 1,000 nga mbështetësit e tij janë dënuar për akuzat për rolet e tyre në trazirat e Kapitolit.
Por çështja ka ngecur pasi zoti Trump pretendoi e ka imunitet të gjerë nga ndjekja penale. Ajo arriti deri në Gjykatën e Lartë të SHBA-së.
Gjykata e Lartë vendosi në korrik, se ish-presidentët kanë imunitet të gjerë për aktet e kryera në Shtëpinë e Bardhë dhe përjashtoi nga ndjekja penale çdo sjellje që mund të përfshinte diskutimet e zotit Trump me Departamentin e Drejtësisë. Kjo përfshinte përpjekjet e tij për të përdorur Departamentin e Drejtësisë për të kryer hetime lidhur me pretendimet e tij për manipulime zgjedhore, si pjesë e përpjekjes së tij për të qëndruar në pushtet.
Gjykata e Lartë me shumicë konservatore ia ktheu çështjen gjykatëses së qarkut të SHBA, Tanya Chutkan për të përcaktuar se cilat nga akuzat mund të dërgoheshin për gjykim.
Ekipi i zotit Smith reagoi duke paraqitur një përmbledhje prej 165 faqesh muajin e kaluar me prova të reja për të bindur gjyqtaren se veprimet e detakujuara në aktakuzë u kryen në cilësinë private të zotit Trump si kandidat – jo si komandant i përgjithshëm – dhe për këtë arsye mund të mbeten pjesë e çështjes. Avokatët e Trump janë planifikuar të dorëzojnë përgjigjen e tyre në fund të këtij muaji.
Çfarëdo që të vendosë gjykatësja Chutkan, pritet që të apelohet përsëri në Gjykatën e Lartë, që do të thotë se një gjyq i mundshëm nuk do të mbahej para një viti./ VOA
Top Channel